15 korrik

[no_toc]

15 korrik

«Tani shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime”» (Mt. 9:13).

Perëndia është shumë më i interesuar se si i trajtojmë njerëzit e tjerë, sesa përmes numrit të madh të ceremonive fetare që kryejmë. Ai e vendos moralin praktik mbi ritualin. Mund të duket e çuditshme të lexosh që Perëndia nuk e pëlqen flijimin, pasi ishe Ai që e krijoi në fillim sistemin e flijimeve. Por nuk kemi asnjë kontradiktë. Ndërkohë që është e vërtetë se Ai i urdhëroi njerëzit që t’i çonin flijime dhe olokauste, Ai nuk pati kurrë qëllim që këto të zinin vendin e drejtësisë dhe mirësisë. «Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi» (Fjalet e Urta 21:3).

Profetët e Dhiatës së Vjetër bërtitën me të madhe kundër njerëzve që i kishin zbatuar të gjitha ritualet e duhura, por që vazhdonin të gënjenin dhe shtypnin të afërmit e tyre. Isaia u tha atyre që Perëndisë i kishte ardhur në majë të hundës me olokaustet dhe festat fetare, për aq kohë që ata i shtypnin jetimët dhe të vejat (Isa. 1:10-17). Ai u tha atyre se agjërimi i dëshiruar nga Perëndia ishte që t’i trajtonin drejt mëditësit e tyre, që të ushqenin të uriturit dhe të vishnin të varfrit (Isa. 58:6, 7). Nëse jetët e tyre nuk ishin të drejta, ata edhe mund të ofronin kokën e një qeni ose gjakun e një derri (Isa. 66:3).

Amosi u tha njerëzve që t’i ndalonin ritet e tyre fetare, sepse Perëndia do të vazhdonte t’i urrente këto rituale derisa drejtësia dhe mëshira të rridhnin si një përrua i rrëmbyer (Amosi 5:21-24). Dhe Mikea paralajmëroi se ajo çfarë Perëndia dëshiron më shumë se rituali është realiteti – realiteti i paanësisë, i drejtësisë, i mëshirës dhe i përulësisë (Mikea 6:6-8).

Në kohën e Zotit tonë, farisenjtë merituan përbuzjen e Tij, pasi pretendonin se ishin fetarë me lutje të gjata, në publik, ndërsa i nxirrnin jashtë shtëpive të tyre të vejat (Mt. 23:14). Ata ishin të kujdesshëm duke i dhënë Perëndisë të dhjetën e mendrës në oborret e tyre, por kjo nuk mund të zërë kurrë vendin e drejtësisë dhe të besimit (Mt. 23:23). Është e kotë që të çojmë ofertën tonë para Zotit nëse vëllai ynë ka një ankesë të vlefshme kundër nesh (Mt. 5:24); dhurata pranohet vetëm kur padrejtësia të jetë ndrequr. Pjesëmarrja e rregullt në [takimet] e kishës nuk do të shërbejë kurrë si një mbulim për praktika të pandershme biznesi gjatë javës. Nuk sjell dobi që t’i japësh nënës një kuti me çokollata për ditën e nënës, nëse gjatë vitit e trajtojmë me urrejtje. Apo që t’i japin një këmishë babait për ditën e babait, nëse nuk i shfaqim dashuri dhe respekt gjatë pjesës tjetër të kohës.

Perëndia nuk mashtrohet nga dukjet e jashtme ose ritualet. Ai sheh zemrën dhe sjelljen tonë të përditshme.