15 nëntor

[no_toc]

15 nëntor

«…bëj këtë një gjë: duke harruar ato që kam lënë pas» (Filipianeve 3:13b).

Zakonisht kur i lexojmë këto fjalë, ne priremi të mendojmë se Pali ishte duke folur për mëkatet e tij të kaluara. Ai e dinte se këto mëkate i ishin falur dhe kështu Perëndia i kishte lënë ato pas tij dhe që Ai nuk do t’i kujtonte më ato përsëri. Kështu edhe Pali ishte i vendosur që t’i harronte ato dhe «po rend[e] drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartë të Perëndisë në Krishtin Jezus».

Akoma mendoj se ky është një zbatimi i mirëqenë i këtij vargu. Por Pali nuk po mendonte për mëkatet e tij në këtë pjesë. Ai po mendonte për ato gjëra në të cilat mund të ishte mburrur – prejardhjen e tij, fenë e tij të mëparshme, zellin dhe drejtësinë e tij sipas ligjit. Tani këto gjërat nuk përbënin asnjë rëndësi për të. Ai ishte i vendosur që këto t’i harronte.

Më kujtohet Xhon Sung (John Sung), ungjilltari i devotshëm kinez, i cili erdhi në Shtetet e Bashkuara për trajnim. Tani ishte duke u kthyer në Kinë. Lesli Liall (Leslie Lyall) shkruan se «një ditë, ndërsa lundra iu afrua fundit të udhëtimit, Xhon Sungu zbriti në kabinën e tij, nxori nga valixhja diplomat e tij, medaljet e tij dhe çelësat e vëllazërisë së tij dhe i flaku të gjitha jashtë bordit, përveç diplomën e doktorit, që e mbajti për të kënaqur të atin. Kjo më vonë u vendos në një kornizë dhe u var në shtëpinë e tij të vjetër. Rev. W. B. Kouli (W. B. Cole) e pa atje rreth vitit 1983. Dr. Sungu e vuri re z. Koul duke e parë atë një ditë dhe i tha: “Gjëra të tilla janë të padobishme. Ato nuk kanë asnjë rëndësi për mua”».

«“Duhet të ketë refuzime të mëdha nëse presim të kemi karriera të krishtera të mëdha!” Fjalët e Dr. Denit (Denney) mund të jenë shkruar duke patur në mendje Dr. Sungun. Ka mundësi të jetë sekreti kryesor i karrierës së Xhon Sungut që erdhi një ditë kur bëri pikërisht një refuzim të tillë të gjithçkaje që kjo botë e konsideron të shtrenjtë».

Në asgjë tjetër s’mburrem dot,
veç në atë kryq të Zotit tim.
Pra, çdo dëshirë, çdo qejf të kotë
i jap Atij unë pa pendim.

Nderet e njeriut janë gjëra të përkohshme dhe boshe. Ato gëzohen për një çast, më pas i zë pluhuri për dekada të tëra. Kryqi është lavdia tonë. Është ambicia tonë që t’i pëlqejmë Atij që vdiq për ne dhe u ringjall. Gjithçka që ka rëndësi është të dëgjojmë [vlerësimin] e Tij: «Të lumtë!» dhe të miratohemi nga Perëndia. Ne jemi gati të refuzojmë gjithçka tjetër për ta fituar këtë çmim.

[previous][next]