16 dhjetor
«Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai […] shëron të gjitha sëmundjet e tua» (Psa. 103:2, 3b).Një nga emrat e përbërë të Perëndisë është Jehova-Rafah, që do të thotë, «Zoti është shëruesi yt» (Eksodi 15:26b). Është Perëndia Ai që na shëron. Ai na shëron nga të gjitha llojet e sëmundjeve dhe, përfundimisht, do të na çlirojë përherë nga çdo formë e sëmundjes.
Ndonjëherë Ai na shëron përmes fuqive të mëdha përtëritëse që Ai ka vendosur në trupin tonë. Kjo është arsyeja që doktorët thonë shpesh: «Shumë gjëra do të përmirësohen nesër në mëngjes». Ndonjëherë Ai na shëron përmes ilaçeve dhe kirurgjisë. Dubois, mjeku i famshëm francez, tha: «Mjeku e lidh plagën; Perëndia e shëron atë». Ndonjëherë Ai shëron në mënyrë të mrekullueshme. Këtë e dimë nga Ungjijtë dhe nga përvoja personale.
Megjithëkëtë, nuk është gjithmonë vullneti i Perëndisë që të shërojë. Nëse do të ishte, disa nuk do të plakeshin kurrë dhe të vdisnin. Por kushdo vdes herët apo vonë – derisa të vijë Zoti. Perëndia nuk e largoi të keqen fizike të Palit, por i dha atij hir që ta duronte (2 e Korintasve 12:7-10).
Në një kuptim të përgjithshëm, çdo sëmundje është rezultat i mëkatit. Me fjalë të tjera, nëse nuk do të kishte patur kurrë asnjë mëkat, nuk do të kishte asnjë sëmundje. Ndonjëherë sëmundja është rezultat i drejtpërdrejtë i mëkatit në jetën e dikujt. Për shembull, ndonjëherë alkoolizmi shkakton sëmundje të mëlçisë dhe ndonjëherë shqetësimi shkakton ulcera. Por jo të gjitha sëmundjet janë rezultat i drejtpërdrejtë i mëkatit të dikujt. Satani i shkaktoi Jobit sëmundje të rënda (Jobi 2:7) dhe, prapëseprapë, Jobi ishte njeriu më i drejtë mbi tokë (Jobi 1:8; 2:3). Ai bëri që një grua pa emër të mundohej me një kërrusje të shtyllës kurrizore (Luka 13:11-17). Dhe ai shkaktoi gjembin në mish të Palit (2 e Korintasve 12:7). Në Gjoni 9:2, 3 nuk mund të ishte mëkati i vetë atij burri që ai kishte lindur i verbër. Epafroditi ishte i sëmurë për vdekje, jo për shkak të mëkatit, por për shkak të shërbimit të tij të palodhshëm për Zotin (Filipianeve 2:30). Gaji ishte i shëndetshëm frymërisht, por nuk ndihej aq mirë fizikisht.
Së fundi, dështimi për t’u shëruar nuk tregon medoemos mungesë besimi. Vetëm kur Perëndia ka dhënë një premtim specifik që Ai do të shërojë mund të kërkojë besimi shërim. Në rast të kundër ne e dorëzojmë veten te Zoti ynë i gjallë, i dashur dhe lutemi që të bëhet vullneti i Tij.