16 mars | çdo ditë me radhë
«Unë po ju them se atij që ka, do t’i jepet; por atij që s’ka do t’i hiqet edhe ajo që ka» (Luka 19:26).
Fjala «ka» në fillim të këtij vargu do të thotë më shumë se thjesht zotërime. Ajo përfshin idenë e bindjes ndaj asaj që na është mësuar dhe përdorimin e asaj që na është dhënë. Me fjalë të tjera, nuk është thjesht ajo që kemi, por më tepër se çfarë bëjmë me atë që kemi.
Këtu ka një parim të madh për ne, pra, në studimin e Biblës. Kur ne e zbatojmë dritën që marrim, Perëndia na jep më shumë dritë. Njeriu që bën përparimin më të mirë në jetën e krishterë është ai që është i vendosur për të zbatuar atë që thotë Bibla, edhe nëse nuk sheh askënd tjetër përreth që ta bëjë këtë gjë. Me fjalë të tjera, kjo nuk është një çështje e koeficientit të inteligjencës që ka dikush. Ajo që ka vlerë është koeficienti i bindjes që ka. Shkrimi i hap thesaret e tij me më shumë gatishmëri për ata që kanë një zemër të bindur. Osea e tha mirë: «Atëherë do të njohim, nëse vazhdojmë të njohim Zotin» (Osea 6:3, AV). Sa më shumë që vëmë në praktikë atë që na është mësuar, aq më shumë Zoti do të na zbulojë. Informacion plus zbatim çon në shumëzim. Informacion pa zbatim çon në amulli.
Parimi zbatohet edhe për përdorimin e dhuntive dhe talenteve tona. Njeriut që talenti iu shtua dhjetë herë iu dha autoritet mbi dhjetë qytete dhe njeriut talenti i cilit fitoi pesë të tjera iu dha të sundojë mbi pesë qytete (Mt. 25:16-19).
Kjo tregon se shfrytëzimi i duhur i përgjegjësive tona shpërblehet me privilegje dhe përgjegjësi më të mëdha. Njeriu që nuk bëri asgjë me talentin e tij, e humbi atë. Dhe kështu ata që refuzojnë ta përdorin atë që kanë për Zotin, e humbin përfundimisht aftësinë për ta bërë këtë gjë. «Nëse nuk e përdor, e humb».
Ne e dimë se kur nuk e përdorim një nga pjesët e trupit, ajo atrofizohet ose bëhet e padobishme. Zhvillimi normal ndodh pikërisht përmes përdorimit të vazhdueshëm. Dhe kështu është në jetën frymërore. Nëse e varrosim dhuntinë tonë, qoftë përmes ndrojtjes ose përtesës, do të kuptojmë shpejt se Perëndia na ka vendosur në raft dhe po përdor të tjerë në vendin tonë.
Prandaj është e një rëndësie shumë të madhe që ne t’u bindemi porosive të Shkrimit, t’i përvetësojmë premtimet dhe të përdorim çfarëdo aftësi që na ka dhënë Perëndia.