16 shkurt

[no_toc]

16 shkurt | çdo ditë me radhë

«Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar» (Fjalet e Urta 14:13).

Asgjë nuk është e përsosur në këtë jetë. Çdo qeshje është e përzier me dhimbje. Çdo diamant ka një defekt. Çdo person ka të paktën një të metë në karakter. Në tërë jetën ka një krimb brenda mollës.

Është mirë që të jesh idealist; Perëndia ka vendosur brenda nesh një dëshirë për përsosuri. Por është mirë që të jesh edhe realist; ne nuk do të gjejmë kurrë përsosuri absolute nën diell.

Është e lehtë për të rinjtë që të mendojnë se familja e tyre është e vetmja që ka grindje. Ose që prindërit e tyre janë të vetmit që nuk janë personalitete të shquara televizive.

Është e lehtë që të zhgënjehemi me përbashkësinë e kishës sonë lokale, duke supozuar gjatë gjithë kohës se gjithçka shkon vaj në kishën matanë rrugës.

Ose është e lehtë që të ecim në jetë duke kërkuar pa fund për miq që të jenë absolutisht idealë. Ne presim përsosuri te të tjerët edhe pse ne vetë nuk mund ta japim atë.

Ne duhet të përballemi sinqerisht me faktin që gjithsecili ka të meta në personalitet, disa më të dukshme se të tjerat. Shpesh sa më i shquar të jetë dikush, aq më të dukshme janë të metat e tij. Në vend që të zhgënjehemi me këto të meta, do të bënim mirë të theksonim cilësitë e mira te besimtarët e tjerë. Gjithsecili ka edhe disa nga këto. Por vetëm një Person i ka të gjitha këto bashkë, pra, Zoti Jezus.

Mendoj shpesh se Zoti na ka lënë qëllimisht me një dëshirë të paplotësuar për përsosuri këtu poshtë që ne ta hedhim vështrimin tek Ai në të cilin nuk ka asnjë njollë dhe asnjë të metë. Ai përfaqëson shumën e të gjitha bukurive morale. Nuk mund të pësosh zhgënjim tek Ai.

[previous][next]