16 tetor
«Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi» (Rom. 1:18).Në kohë të caktuara gjatë historisë njerëzore Perëndia ka shpërthyer me gjykim mbi njerëzit për t’ju treguar pakënaqësinë e Tij ekstreme mbi disa mëkate që ata kanë kryer. Sigurisht që Ai nuk i godet njerëzit për vdekje në çdo rast që kryhen këto mëkate. Nëse do ta bënte, popullsia e botës do të qe zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme. Por Ai ka regjistruar raste të izoluara për ta paralajmëruar njerëzimin që një pabesi e padrejtësi e tillë nuk do të lihet pa u ndëshkuar. Nëse Ai nuk merret me këtë në kohë, të jeni shumë të sigurt që Ai do merret me këtë në përjetësi.
Kur Perëndia hodhi vështrimin mbi tokë dhe pa se ajo ishte e korruptuar dhe plot e përplot me dhunë, Ai dërgoi një përmbytje kataklizmike, duke e shkatërruar botën (Zanafilla 6:13). Vetëm tetë njerëz shpëtuan.
Më vonë qytetet e Sodomës dhe Gomorës u kthyen në qendra të homoseksualizmit (Zanafilla 19:1-13). Sodoma ishte fajtore edhe për kryelartësi, për bollëkun e bukës dhe plogështi të theksuar (Eze. 16:49). Perëndia zbuloi zemërimin e Tij nga qielli duke bërë që të bjerë zjarr dhe squfur mbi këto qytete, duke i dorëzuar ato në shuarje të përjetshme.
«Nadabi dhe Abihu vdiqën para Zotit, kur ofruan një zjarr të palejueshëm» (Num. 3:4). Ata duhet të kishin përdorur zjarrin e marrë nga altari (Lev. 16:12), por ata vendosën t’i afroheshin Perëndisë në një mënyrë tjetër. Duke i goditur ata me vdekje të papritur, Zoti i paralajmëroi brezat e ardhshëm kundër përpjekjeve për t’ju afruar Atij në një mënyrë ndryshe nga ajo që Ai kishte caktuar.
Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, nuk arriti ta pranonte Më të Lartin që sundon mbi punët e njerëzve. Në vend të kësaj ai kërkoi nderim të plotë për tërë lavdinë e Babilonisë. Perëndia e ndëshkoi atë me tërbim. Mbreti u dëbua nga njerëzit për të jetuar si kafshët e fushës. Ai hëngri bar si qetë, trupi iu lag nga vesa e qiellit, flokët iu rritën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë si kthetrat e shpendëve (Dan. 4:33).
Anania dhe Safira pretenduan se i bënë Zotit një ofertë të plotë të pronës së tyre, por fshehurazi ata mbajtën për vete një pjesë të parave (Veprat e Apostujve 5:1-11). Ata vdiqën të dy në çast si një paralajmërim kundër mungesës së sinqeritetit si në adhurim ashtu dhe në shërbim.
Disa kohë më vonë Herodi pranoi të adhurohej në vend që t’i jepte lavdi Perëndisë. Ai u konsumua nga krimbat dhe vdiq (Veprat e Apostujve 12:22-23).
Njerëzit mëkatarë nuk duhet të përfitojnë nga mosveprimi dhe heshtja në dukje e Perëndisë. Edhe pse Ai nuk e dënon gjithmonë në çast mëkatin nuk do të thotë që Ai nuk do ta dënojë atë përfundimisht. Në raste të izoluara gjatë viteve, Ai ka shpallur vendimin e Tij dhe ka zbuluar ndëshkimet që pasojnë.