17 dhjetor
«Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet…» (Fjalet e Urta 26:20).Dy burra po grinden. Njëri lëshon një shpërthim të zemëruar dhe tjetri përgjigjet me një kundërshtim të thartë. Njëri sulmon nxehtësisht dhe tjetri kundërsulmon me furi të njëjtë. Asnjeri nuk është i gatshëm të ndalojë që heshtja e tij të mos i llogaritet si dobësi apo disfatë. Dhe kështu forca e zjarrit rritet dhe i lëshojnë njëri-tjetrit dallgë urrejtje.
Por ndryshoje këtë pamje. Njëri nga burrat i lëshon një zjarr gojor kundërshtarit të tij, por nuk merr asnjë zjarr nga ana e këtij të fundit. Ai përpiqet ta acarojë, ta pezmatojë, ta përgojojë dhe ta turpërojë. Por burri tjetër refuzon që të bëhet pjesë e grindjes. Përfundimisht, antagonisti kupton se po e harxhon kot kohën dhe kështu ikën tinëz, duke murmuritur dhe mallkuar. Zjarri u fik pasi i akuzuari refuzoi që t’i hidhte lëndë djegëse.
Dr. H. A. Ajrënsajdi takohej shpesh me njerëz në fund të një takimi të cilët donin të argumentonin me të për diçka që kishte thënë. Zakonisht ata kapeshin pas thërijave dhe nuk diskutonin ndonjë doktrinë themelore. Dr. Ajrënsajdi do t’i dëgjonte me durim, pastaj kur grindaveci ndalonte për të marrë frymë, ai do të thoshte: «Mirë, vëlla, kur të jemi në qiell, njëri prej nesh do ta ketë gabim dhe ndoshta do të jem unë». Kjo përgjigje e lironte në çdo rast doktorin e mirë që t’i fliste dikujt tjetër.
Si e marrim kritikën? A e mbrojmë veten, duke ia kthyer tjetrit me të njëjtën monedhë, duke lëshuar të gjitha mendimet kritike që kemi menduar ndonjëherë për personin tjetër? Apo themi me qetësi: «Vëlla, gëzohem që nuk më njeh më mirë, sepse nëse do të ishte kështu, do të kishe shumë më tepër për të më kritikuar». Një përgjigje si kjo ka shuar shumë zjarre.
Mendoj se shumica prej nesh kanë marrë dikur një letër që na ka hequr nga faqja e dheut. Reagimi i natyrshëm në një kohë të tillë është ta ngjyejmë penën tonë në acid dhe të lëshojmë një përgjigje thumbuese. Kjo e ndez zjarrin dhe mjaft shpejt midis njëri-tjetrit shkëmbehen letra të pista. Sa më mirë do të ishte që të shkruaje një përgjigje të thjeshtë si: «I dashur vëlla, nëse do të luftosh me dikë, të lutem lufto djallin».
Jeta është tepër e shkurtër të harxhohet për vetëmbrojtje, me zënka apo me fjalë të nxehta. Këto gjëra na largojnë nga ajo që është e rëndësisë së parë ose e ulin tonin tonë frymëror dhe e dëmtojnë dëshminë tonë. Të tjerët mund të jenë duke mbajtur pishtarin me të cilin të ndezin qëllimisht një zjarr, por ne kontrollojmë lëndën djegëse. Kur refuzojmë që t’i hedhim lëndë djegëse zjarrit, zjarri do të shuhet.