18 prill | çdo ditë me radhë
«Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët…» (1 e Korintasve 13:12).
Në disa raste në përvojën tonë të krishterë kjo është shumë e dukshme kur vijmë para tryezës së Zotit për të përkujtuar Atë në vdekjen e Tij për ne. “Ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët”.
Duke sikur është një vel i trashë, i padepërtueshëm. Ne jemi në njërën anë të tij me të gjitha kufizimet tona. Në anën tjetër është e tërë drama e madhe e shpengimit tonë – Betlehemi, Gjetsemania, Gabatha, Kalvari, varri bosh, Krishti i lartësuar në të djathtën e Perëndisë. Ne kuptojmë se atje ka diçka jashtëzakonisht të madhe dhe përpiqemi ta kuptojmë, por ndihemi më shumë si krepa sesa si qenie njerëzore.
Ne përpiqemi të kuptojmë vuajtjet e Shpëtimtarit për mëkatet tona. Mendjet tona lodhen për të kuptuar tmerrin e braktisjes së Tij nga Perëndia. Ne e dimë se Ai pësoi mundimin që ne duhet të kishim pësuar për tërë përjetësinë. Mirëpo ne pështjellohemi kur kuptojmë se ka akoma më shumë përtej kësaj. Ne jemi duke qëndruar në buzën e një deti që nuk është eksploruar!
Ne mendojmë për dashurinë që dërgoi më të mirën e qiellit për më të keqen e tokës. Ne prekemi kur kujtojmë se Perëndia e dërgoi Birin e Tij të vetëmlindur në këtë xhungël të mëkatit për të kërkuar dhe shpëtuar atë që kishte humbur. Por kemi të bëjmë me një dashuri që ia tejkalon çdo njohurie. Ne vetëm mund të dimë pjesërisht.
Ne këndojmë për hirin e Shpëtimtarit, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për hirin tonë, që ne të bëhemi të pasur me anë të varfërisë së Tij. Kjo mjafton për t’i lënë engjëjt me gojë hapur. Sytë tanë lodhen për të parë dimensionet e pafund të këtij hiri. Por më kot. Ne jemi të kufizuar nga largpamësia tonë njerëzore.
Ne e dimë se duhet të mahnitemi nga soditja e sakrificës së Tij në Kalvar, por është për t’u habitur që shumë shpesh ne nuk prekemi. Nëse do të hynim me të vërtet brenda asaj që shtrihet përtej velit, ne do të pushtoheshim nga lotët. Por na duhet të rrëfejmë…
Oh, i habitur jam në vetvete,
Ti Qengj i dashur, i gjakosur, që po vdes,
që unë mund të këqyr këtë mister
dhe të mos prekem për të të dashur më shumë.
Ose, me fjalët e dikujt tjetër, ne duhet të pyesim:
A jam një gur dhe jo një njeri, që mund të rri
o Krisht, poshtë kryqit tënd,
të numëroj pikë pas pike
humbjen e ngadaltë të gjakut tënd,
dhe prapë të mos qaj?
Ashtu si dy dishepujt në rrugën për në Emaus, sytë tanë hapen. Ne dëshirojmë me zjarr atë kohë kur veli do të hiqet dhe kur ne do të shohim më mirë domethënien mbresëlënëse të bukës së thyer dhe verës së derdhur.