18 tetor

[no_toc]

18 tetor

«Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. Kam më tepër zgjuarsi se pleqtë» (Psa. 119:99, 100).

Kur i lexojmë për herë të parë këto vargje, ato tingëllojnë si fjalët e ndonjë mburraveci të papjekur ose të një egoisti të rritur. Në fakt, ne pothuaj mund të çuditemi kur shohim se mburrje të tilla gjenden në Bibël. Ato duken më tepër si nën-kristiane (ang. sub-Christian).

Megjithatë, duke i studiuar vargjet më nga afër, ne gjejmë fjalën kyç që e heq vështirësinë. Psalmisti jep një arsye për të kuptuarit e tij më të lartë. Ai thotë: «…sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime». Me fjalë të tjera, ai është duke thënë se kupton më shumë se mësuesit e tij që nuk e njohin Shkrimin e Shenjtë. Ai kupton më shumë se pleqtë, njohuria e të cilëve ishte thjesht jofetare. Ai nuk po e ballafaqon veten me besimtarët e tjerë, por vetëm me njerëzit e kësaj bote.

Dhe sigurisht që ka të drejtë! Besimtari i përulur mund të kuptojë më shumë në gjunjët e tij, sesa mund të kuptojmë jobesimtari i mësuar në majat e gishtave. Le të konsiderojmë disa ilustrime:

Ja ku kemi një udhëheqës qeveritar, i cili e siguron popullin e vet që bota do të jetë në paqe nëse ndiqen një sërë veprimesh të caktuara. Në një fshat të largët, një fermer i krishterë e dëgjon fjalimin në radio. Ai e di që nuk do të ketë kurrë paqe derisa Princi i Paqes të vendosë mbretërinë e Tij këtu mbi tokë. Vetëm atëherë do t’i farkëtojnë njerëzit shpatat e tyre në plore dhe nuk do të stërviten për luftë. Fermeri kupton më shumë se diplomati.

Tani le të takojmë një shkencëtar të famshëm, i cili mëson se universi siç e dimë u zhvillua pa veprimin hyjnor. Në klasë është i ulur një i kthyer i ri te Krishtit. Nëpërmjet besimit ky student kupton që botët u ndërtuan me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen (Heb. 11:3). Studenti ka një mendjemprehtësi që shkencëtari nuk e zotëron.

Më pas ne mendojnë edhe për atë psikologun, i cili përpiqet të shpjegojë sjelljen njerëzore, por nuk dëshiron të pranojë faktin e mëkatit të lindur. Besimtari që e njeh fjalën e Perëndisë e kupton se çdo njeri trashëgon një natyrë të ligë e të korruptuar dhe se dështimi për të kuptuar këtë mund të shpjerë veçse në zgjidhje të kota të problemeve njerëzore.

Kështu që psalmisti nuk po kënaqej në ndonjë lëvdatë të kotë kur tha se kuptonte më shumë se të gjithë mësuesit e tij. Ata që ecin me anë të besimit kanë një vizion më të mirë se ata që ecin me anë të shikimit. Ata që përsiatin mbi urdhërimet e Perëndisë shohin të vërteta që janë të fshehura për të mençurin dhe të urtin.

[previous][next]