19 gusht

[no_toc]

19 gusht

«Mos i fyej perënditë, as mos e mallko princin e popullit tënd» (Eksodi 22:28).

Kur Perëndia ia dha Ligjin Moisiut, Ai përfshiu një ndalim specifik kundër të folurit me qortim ose pa respekt për ata që mbanin pozita autoriteti. Arsyeja për këtë është e qartë. Këta princa dhe udhëheqës janë përfaqësues të Perëndisë. «Nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia» (Rom. 13:1). Princi është një «shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirën» (Rom. 13:4). Edhe pse udhëheqësi mund të mos e njoh personalisht Zotin, prapëseprapë ai është zyrtarisht njeriu i Zotit.

Lidhja midis Perëndisë dhe princave njerëzorë është kaq e afërt, që ndonjëherë Ai u referohet atyre si perënditë. Prandaj në vargun e sotëm lexojmë: «Mos i fyej perënditë», që mund të nënkuptojë autoritetet qeveritare. Dhe në Psalmi 82:1, 6 Zoti u referohet gjyqtarëve si perëndi – jo që ata janë hyjni, por që thjesht janë agjentë të Perëndisë.

Pavarësisht nga sulmet vrasëse që mbreti Saul synoi për Davidin, ky i fundit nuk i lejoi në asnjë mënyrë njerëzit e tij që t’i bënin keq mbretit, sepse ai ishte i vajosuri i Zotit (1 Sam. 24:6).

Kur apostulli Pal e qortoi pa e ditur kryepriftin, ai shpejt u pendua dhe kërkoi falje, duke thënë: «Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: “Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd”» (Veprat 23:5).

Respekti për autoritetet zbatohet edhe në fushën frymërore. Kjo shpjegon arsyen që kryeengjëlli Mikael nuk guxoi të shqiptojë një gjykim fyes kundër Satanit, por tha thjesht: «Zoti të qortoftë!» (Juda 1:9).

Një nga treguesit e apostazisë [femohimit] së kohëve të fundit është që ata i përbuzin pushtetet dhe nuk druajnë të blasfemojnë dinjitetet (2 Pjetrit 2:10).

Mësimi për ne është i qartë. Ne duhet t’i respektojmë udhëheqësit tanë si shërbëtorë zyrtarë të Perëndisë, edhe pse mund të mos pajtohemi me politikat e tyre apo të aprovojmë karakterin personal të tyre. Nën asnjë rrethanë dhe asnjëherë ne nuk duhet të themi atë që një i krishterë tha në zjarrin e një fushate politike: «Presidenti është një horr i ndyrë».

Për më tepër ne duhet të lutemi «për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder» (1 Tim. 2:2).

[previous][next]