BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Himn lëvdimi Zotit për madhështinë dhe mirësinë e tij ndaj nevojtarëve
113:1 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.
113:2 Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.
113:3 Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.
113:4 Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.
113:5 Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,
113:6 kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?
113:7 Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,
113:8 për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.
113:9 Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.