19 janar

[no_toc]

19 janar | çdo ditë me radhë

«Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi» (1 Gjonit 1:9).

Pa këtë siguri që jep ky varg, do të ishte praktikisht e pamundur për të ecur përpara në jetën e krishterë. Ndërsa rritemi në hir, ne kemi një ndërgjegjësim gjithnjë e në rritje të ligësisë sonë të madhe. Ne duhet të kemi një dispozitë për pastrim të menjëhershëm për mëkatin, përndryshe dënohemi me një ndjenjë të vazhdueshme faji dhe dështimi.

Gjoni na tregon se, për besimtarët, kjo dispozitë është siguruar përmes rrëfimit. Jobesimtari merr falje juridike nga dënimi i mëkateve përmes besimit në Zotin Jezus. Besimtari merr falje atërore nga njollosja e mëkateve përmes rrëfimit.

Mëkati prish përbashkësinë në jetën e fëmijës së Perëndisë dhe kjo përbashkësi mbetet e prishur, derisa mëkati të jetë rrëfyer dhe braktisur. Kur rrëfehemi, Perëndia është besnik ndaj Fjalës së Tij; Ai ka premtuar të na falë. Ai është i drejtë duke na falur, sepse vepra e Krishtit në kryq ka siguruar një bazë të drejtë mbi të cilën Ai mund të veprojë kështu.

Pra, ajo që do të thotë ky varg është se kur i rrëfejmë mëkatet tona, ne mund ta dimë që procesverbali është pastruar, që jemi pastruar plotësisht, që ajo fryma e gëzuar familjare është restauruar. Posa të jemi të ndërgjegjshëm për mëkat në jetën tonë, ne mund të shkojmë në praninë e Perëndisë, ta quajmë mëkatin ashtu si e ka emrin, ta hedhim poshtë dhe ta dimë me siguri që ai është larguar.

Por si e dimë me siguri? A ndihemi të falur? Nuk është aspak një çështje ndjenjash. Ne e dimë që jemi falur, sepse kështu thotë Perëndia në Fjalën e Tij. Në rastin më të mirë të tyre ndjenjat janë jo të besueshme. Fjala e Perëndisë është e sigurt.

Por le të supozojmë që dikush thotë: «E di që Perëndia më ka falur, por nuk mund ta fal veten». Kjo mund të tingëllojë shumë fetare, por në fakt nuk e nderon Perëndinë. Nëse Perëndia më ka falur, atëherë Ai dëshiron që unë ta përvetësoj atë falje me besim, që të gëzohem për të dhe që të shkoj dhe t’i shërbej Atij si një enë e pastruar.

[previous][next]