Psalmi 26

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Shfaqje ndershmërie dhe kërkesë për mbrojtje

26:1 Siguromë drejtësi, o Zot, sepse kam ecur në ndershmërinë time dhe kam pasur besim te Zoti pa u lëkundur.

26:2 Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.

26:3 Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.

26:4 Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.

26:5 Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët.

26:6 Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,

26:7 për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.

26:8 O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.

26:9 Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,

26:10 sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.

26:11 Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.

26:12 Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.