19 shkurt | çdo ditë me radhë
«Kur rruga e një njeriu shkatërrohet nga budallallëku i tij, zemra e tij tërbohet kundër Zotit» (Fjalet e Urta 19:3, RSV).
Nuk ka asnjë libër si Bibla mbi psikologjinë. Ajo jep perceptime mbi sjelljen njerëzore që nuk mund t’i gjesh në ndonjë vend tjetër. Këtu, për shembull, ajo përshkruan një njeri, kokëfortësia e të cilit e shkatërron jetën e tij, mirëpo në vend që të fajësojë vetveten, ai kthehet dhe e shfren mërzinë që ka mbi Zotin.
Sa e vërtetë për jetën! Ne kemi njohur njerëz që kanë bërë një rrëfim se janë të krishterë, por që më vonë përfshihen në forma të turpshme të imoralitetit seksual. Kjo u sjell turp, çnderim dhe shkatërrim financiar. Por a do të pendohen? Jo, ata u kthyen kundër Krishtit, refuzuan besimin dhe u kthyen në ateistë militantë.
Shumë më shpesh se sa ndoshta arrijmë ta kuptojmë, apostazia i ka rrënjët e saj te dështimi moral. A. J. Pollok (Pollock) tregon kur takoi një të ri që filloi të vjell çdo lloj dyshimi dhe mohimi për sa i përket Shkrimit. Kur Polloku e pyeti: «Cilit mëkat i ke shkuar pas qejfit?», i riu ndaloi dhe e zbrazi zemrën duke treguar një histori tronditëse mëkati dhe paturpësie.
Padrejtësia e madhe qëndron në rrugën e çoroditur të njeriut kundër Zotit për pasojat e mëkatit të vetë njeriut. W. F. Adeney tha: «Është e tmerrshme që ta akuzosh providencën e Perëndisë me pasojat e veprimeve që Ai t’i ka ndaluar».
Sa e vërtetë është se «kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij» (Gjoni 3:20)! Apostulli Pjetër na kujton se tallës «të cilët do të ecin sipas dëshirave [epsheve] të veta» janë «me dashje të paditur». Polloku komenton: «Kjo na jep një të vërtetë tepër të rëndësishme se paaftësia dhe ngurrimi për të pranuar të vërtetën e Perëndisë vjen kryesisht për shkak të asaj që është morale. Shpesh një njeri dëshiron të vazhdojë me mëkatin e tij apo mishi ka një antipati të natyrshme për Perëndinë. Ndoshta karakteri hetues i dritës dhe ndikimi ndalues i Biblës u vjen zët. Nuk është koka që është aq shumë në faj sa zemra».