2 prill

[no_toc]

2 prill | çdo ditë me radhë

«Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen» (2 e Korintasve 5:10).

Ndërsa është është e vërtetë, siç e kemi parë në faqen e mëparshme, se nuk ka shkallë të përshtatshmërisë për qiellin, është gjithashtu e vërtetë se do të ketë shkallë shpërblimi në qiell. Gjyqi i Krishtit do të jetë një vend rishikimi dhe shpërblimi ku disa do të shpërblehen më shumë se të tjerët.

Do të ketë gjithashtu kapacitete të ndryshme për gëzimin e lavdive të qiellit. Gjithsecili do të jetë i lumtur, por disa do të kenë një kapacitet më të madh për lumturinë se të tjerët. Kupa e gjithsecilit do të jetë plot, por disa do të kenë kupa më të mëdha se të tjerët.

Ne duhet ta largojmë idenë se do të jemi të gjithë saktësisht të njëjtë kur të arrijmë gjendjen e lavdëruar. Bibla nuk e mëson në asnjë vend këtë njëtrajtshmëri të mërzitshme dhe të bezdisshme. Përkundrazi, ajo mëson se do të jepen kurora për jetë besnikërie dhe përkushtimi dhe ndërsa disa do të shpërblehen, të tjerë do të pësojnë humbje.

Ja ku kemi dy të rinj që kanë të njëjtën moshë dhe që janë kthyer në besim në të njëjtën kohë. Njëri i jeton dyzet vjetët e ardhshëm duke i dhënë prioritet parësor mbretërisë së Perëndisë dhe drejtësisë së Tij. Tjetri ia kushton pjesën më të mirë të jetës fitimit të parave. I pari flet me zell për gjërat e Zotit, i dyti për aktivitetin në tregti. I pari ka një kapacitet më të madh për t’u gëzuar në Zotin tani dhe këtë kapacitet më të madh ai do ta marrë në qiell. I dyti, edhe pse është njëlloj i përshtatshëm për në qiell përmes Personit dhe veprës së Krishtit, është i shkurtër frymërisht dhe këtë kapacitet të pakët e merr në qiell.

Ditë pas dite ne jemi duke përcaktuar shpërblimet që do të marrim dhe masën me të cilën do ta gëzojmë shtëpinë tonë të përjetshme. Këtë e përcaktojmë nga njohja që kemi për Biblën dhe nga bindja tonë ndaj saj, nga jeta e lutjes që kemi, nga përbashkësia me popullin e Perëndisë, nga shërbimi për Zotin dhe nga administrimi besnik i gjithçkaje që na ka dhënë Perëndia. Posa kuptojmë se jemi duke ndërtuar për përjetësinë me çdo ditë që kalon, [kuptojmë] që kjo duhet të ketë një ndikim të thellë mbi zgjedhjet që bëjmë dhe prioritetet që caktojmë.

[previous][next]