2 shtator

[no_toc]

2 shtator

«Zot, unë do të ndjek kudo të shkosh» (Luka 9:57).

Ndonjëherë mendoj se jemi tepër të shkathët kur këndojmë dhe flasim për faktin që Jezusi është Zot, për përkushtimin total dhe për dorëzimin absolut. Ne përsëritim si papagall klishe të bukura si: «Nëse Ai nuk është Zot i gjithçkaje, Ai nuk është Zot fare». Ne këndojmë: «Gjithçka Jezusit ia dorëzoj, gjithçka falas ia jap Atij». Ne veprojmë sikur përkushtimi total të ishte thjesht diçka më tepër se frekuentimi i kishës të dielave.

Nuk është puna se nuk jemi të sinqertë; problemi është se nuk kuptojmë gjithçka që kjo do të thotë. Nëse e kuptojmë Zotërimin e Krishtit, kjo do të thotë që jemi të gatshëm ta ndjekim Atë në varfëri, refuzim, vuajtje dhe madje vdekje.

«Disave iu bie të fikët kur shohin gjak. Një ditë një entuziast i ri erdhi te Jezusi me qëllimet më të mira të mundshme që kishte në zemër. “Zot”, tha ai, “unë do të ndjek kudo të shkosh”. Nuk mund të ketë diçka më të mirë se kjo. Por Jezusi nuk u emocionua. Ai e dinte që i riu nuk e kuptonte gjithçka që përfshihej në premtimin që bëri. Kështu që Ai i tregoi atij se vetë ishte më i pastrehë se dhelprat dhe se atij mund t’i duhej të flinte pa ngrënë përbri një mali. Ai i tregoi atij një kryq me një ngjyrë paksa të kuqe dhe duke parë këtë të riut që ishte plot me dëshirë i ra menjëherë të fikët. Ndonëse ai ishte i etur për të mirat, çmimi ishte më i lartë, sesa ai ishte i gatshëm të paguante. Dhe kjo ndodh shpesh. Disa prej jush nuk jeni duke luftuar, jo sepse thirrja e Krishtit nuk na tërheq, por sepse ju keni frikë se mos iu rrjedhë qoftë edhe një pikë gjaku. Prandaj ju thoni duke rënkuar: «Por për këto armë të këqija, unë do të isha bërë një ushtar» (Chappell).

Nëse Jezusi nuk u emocionua kur i riu te Luka 9 doli vullnetar për të shkuar me Të kudo, jam i sigurt që Ai u emocionua kur Xhimi Eliot shkroi në ditarin e tij: «Nëse do ta kurseja jetën që kam në gjak – duke mos dashur që ta jap atë si sakrificë, pra, në kundërshtim me shembullin e Zotit tim – atëherë me duhet të ndiej fytyrën e Perëndisë të bërë si strall që është kundër qëllimit tim. O Atë, nëse Ti do, merre jetën time, po, gjakun tim dhe konsumoje në flakët e zjarrit tënd. Unë nuk do ta kursej atë, sepse ajo nuk është e imja që ta kursej. Merre, Zot, merre të gjithën. Derdhe jetën time si një blatim për botën. Gjaku ka vlerë vetëm kur rrjedh para altarëve të tu».

Kur ne lexojmë fjalë të tilla dhe kujtojmë që Xhimi vërtet e dha gjakun e tij si martir në Ekuador, disa prej nesh kuptojnë se sa pak dimë në lidhje me dorëzimin absolut.

[previous][next]