20 dhjetor

[no_toc]

20 dhjetor

«Jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam» (Filipianeve 4:11).

Na thuhet shpesh se nuk janë rrethanat e jetës që janë të rëndësishme; ajo që ka rëndësi vërtet është se si reagojmë ndaj këtyre rrethanave. Kjo është e vërtetë. Në vend që të përpiqemi vazhdimisht për të ndryshuar rrethanat tona, ne duhet të mendojmë më shumë për të ndryshuar veten tonë.

Ka disa mënyra se si njerëzit reagojnë ndaj ngjarjeve të pafavorshme. E para është në mënyrë stoike. Kjo do të thotë se ata janë krejtësisht të pandjeshëm, kërcasin dhëmbët dhe nuk tregojnë aspak emocione. Politika e tyre është të «bashkëpunojmë me të pashmangshmen».

Të tjerë përgjigjen në mënyrë histerike. Ata marrin fund emocionalisht me të qara të mëdha, me lot dhe shfaqje fizike madhështore. Disa reagojnë me qëndrimin e humbjes. Ata dorëzohen me dëshpërim të mjerë. Në raste ekstreme, kjo mund të përfundojë në vetëvrasje.

Rruga normale e krishterë është të përgjigjesh me nënshtrim. Besimtari arsyeton: Kjo nuk ndodhi rastësisht. Perëndia kontrollon gjithçka që ndodh në jetën time. Ai nuk ka bërë ndonjë gabim. Ai e ka lejuar këtë që t’i jap lavdi Vetes, bekim të tjerëve dhe të mirën mua. Unë nuk mund ta shoh veprimin e plotë të programit të Tij, por do t’i besoj Atij gjithsesi. Kështu përkulem para vullnetit të Tij dhe lutem që Ai do të përlëvdohet dhe do të më mësojë çfarëdo që Ai dëshiron të më mësojë».

Ka edhe një mënyrë tjetër reagimi nga disa shenjtorë të zgjedhur, domethënë, mënyra superngadhënjimtare. Nuk guxoj ta fut veten midis këtij numri, edhe pse aspiroj t’i bashkohem grupit të tyre. Këta janë ata që e përdorin fatkeqësinë si një shkallë drejt fitores. Ata e shndërrojnë situatën e hidhur në ëmbëlsi dhe hirin në bukuri. Ata nuk i lënë rrethanat që t’i sundojnë, por bëjnë që rrethanat t’u shërbejnë. Në këtë kuptim, ata janë «më shumë se fitimtarë». Më lejoni t’ju jap disa ilustrime.

Ishte një grua e krishterë jeta e së cilës dukej e mbushur me zhgënjim dhe mërzitje. Por në biografinë e saj shkruhej: «Ajo bëri buqeta të mrekullueshme nga refuzimet e Perëndisë».

Besimtarët në një vend oriental janë sulmuar me gurë nga një turmë e zemëruar. Kur po këta besimtarë u kthyen, ata ndërtuan një kishë me gurët që ishin hedhur kundër tyre.

Pasi një burrë bleu një shtëpi, ai gjeti një masë të madhe shkëmbi në mes të kopshtit. Ai vendosi që të bënte një kopsht shkëmbi [malor, zakonisht me bimë alpine].

E. Stenli Xhounsi tha: «Përdori mohimet e tua dhe shndërroji në dyer». Ose, siç ka thënë dikush: «Kur jeta të jep limonë, bëj limonadë».

Më pëlqen veçanërisht historia e atij burrit që iu tha nga doktori se do ta humbte njërin sy dhe do t’i duhej të vinte një sy xhami. Përgjigjja e tij e menjëhershme ishte: «Sigurohu që të vësh një me shkëlqim». Kjo është ajo që e quaj të jetosh mbi rrethanat.

[previous][next]