21 mars

[no_toc]

21 mars | çdo ditë me radhë

«Edhe zemërimi i njerëzve do të shndërrohet në lavdi për ty, dhe t’i do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimit të tyre» (Psa. 76:10).

Një nga karakteristikat magjepsëse të historisë njerëzore është mënyra se si Perëndia bën që zemërimi i njeriut ta lavdërojë Atë. Që nga Rënia (hyrja e mëkatit në botë), njeriu e ka drejtuar grushtin kundër Perëndisë, kudër popullit të Tij dhe kundër kauzës së Tij. Në vend që ta gjykojë këtë zemërim menjëherë, Zoti e lejon të veprojë, duke e shfrytëzuar atë për lavdinë e Tij dhe për bekimin e popullit të Tij.

Një grup burrash kurdisën të keqen kundër vëllait të tyre, duke ia shitur një bande nomadësh, të cilët e çuan në Egjipt. Perëndia e lartësoi, duke e bërë të dytin në pushtet dhe shpëtimtar të popullit të tij. Më vonë Jozefi u kujtoi të vëllezërve: «Ju menduat të keqen kundër meje, por Perëndia e përdori këtë për të mirën» (Zanafilla 50:20, NASB).

Tërbimi i Hamanit kundër judenjve çoi në shkatërrimin e vetë atij dhe në lartësimin e atyre që kërkoi për t’i shkatërruar.

Tre të rinj hebrenj u hodhën në një furrë zjarri aq të nxehtë që i konsumoi hedhësit e tyre. Por hebrenjtë dolën të paprekur dhe madje pa erën e tymit. Atëherë mbreti pagan dekretoi vdekjen për këdo që thoshte një fjalë kundër Perëndisë së judenjve.

Danieli u hodh në gropën e luanëve, ngaqë i lutej Perëndisë së qiellit. Por çlirimi i mrekullueshëm i tij çoi në një dekret tjetër nga sundimtari i tij pagan, që kërkonte nderim dhe respekt për Perëndinë e Danielit.

Nëse shkojmë në erën e Dhiatës së Re, përndjekja e kishës çoi në një përhapje më të shpejtë të Ungjillit. Martirizimi i Stefanit mbarti në vetvete farën e konvertimit të Saulit. Burgimi i Palit solli katër letra që u bënë pjesë e Biblës së Shenjtë.

Më vonë, hiri i Xhon Husit (John Hus) u hodh në lum dhe në çdo vend ku rrodhi lumi, pas tij shkoi Ungjilli pas jo shumë kohe.

Njerëzit e grisin Biblën dhe e hedhin në erë, por dikush merr një faqe të rastit, e lexon dhe shpëtohet në mënyrë të lavdishme. Njerëzit tallen me doktrinën e ardhjes së dytë të Krishtit dhe kështu përmbushin profecinë që në ditët e fundit do të vijnë tallës (2 Pjetrit 3:3, 4).

Dhe kështu Perëndia bën që zemërimi i njeriut ta lavdërojë Atë – dhe atë gjë që nuk e lavdëron, Ai e pengon.