22 maj

[no_toc]

22 maj | çdo ditë me radhë

«Mos kini më besim te njeri, në flegrat e të cilit nuk ka veç se një frymë; si mund të mbështetesh te ai?» (Isa. 2:22).

Kur i japim një burri apo një gruaje atë vend në jetën tonë që vetëm Perëndia duhet ta ketë, ne jemi duke ecur drejt një zhgënjimi të hidhur. Ne do të mësojmë shpejt që njerëzit më të mirë janë më së miri njerëz. Ndonëse ata mund të kenë disa cilësi shumë të mira, prapëseprapë ata kanë këmbë hekuri dhe balte. Kjo mund të tingëllojë si cinizëm, por nuk është kështu. Kjo është realizëm.

Kur pushtuesit po e kërcënonim Jerusalemin, populli i Judës i kërkoi Egjiptit ndihmë për çlirim. Isaia i dënoi ata për këtë besim të vendosur në vend të gabuar, duke thënë: «Ja, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që pret dorën e atij që mbështetet mbi të dhe e shpon. I tillë është pikërisht faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai» (Isa. 36:6). Dhe Jeremia tha më vonë, në rrethana të ngjashme: «Kështu thotë Zoti: “Mallkuar qoftë njeriu që ka besim te njeriu dhe e bën nga mishi krahun e tij, dhe zemra e të cilit largohet nga Zoti!”» (Jer. 17:5).

Psalmisti tregoi mendjemprehtësi të vërtetë mbi këtë temë kur shkroi: «Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut. Është më mirë të gjesh strehë te Zoti se sa t’u kesh besim princave (Psa. 118:8, 9). Dhe përsëri: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken» (Psa. 146:3, 4).

Sigurisht, ne duhet të kuptojmë se është njëfarë kuptimi ku ne duhet t’i besojmë njëri-tjetrit. Si do të ishte një martesë, për shembull, pa një masë të caktuar besimi dhe respekti? Në jetën e biznesit, përdorimi i çeqeve si para bazohet mbi një sistem besimi reciprok. Ne u besojmë doktorëve për të na diagnostikuar dhe për të na mbushur receta siç duhet. Ne u besojmë etiketave në kutitë dhe paketimet e ushqimeve të tregut. Do të ishte pothuaj e pamundur që të jetoje në një shoqëri pa njëfarë besimi te të tjerët.

Rreziku vjen kur i besojmë njeriut që të bëjë atë që vetëm Perëndia mund ta bëjë, kur e heqim Zotin nga froni dhe atje vendosim njeriun. Kushdo që e zëvendëson Perëndinë për sa i përket ndjenjave tona, që zë vendin e Tij si siguria jonë, që uzurpon ndonjë nga të drejtat e posaçme të Tij në jetët tona – ky njeri me siguri do të na zhgënjejë thekshëm. Do të jetë tepër vonë kur të kuptojmë që njeriu nuk e meriton besimin tonë.

[previous][next]