22 mars | çdo ditë me radhë
«Bëre mirë që pate një gjë të tillë në zemër» (1 i Mbreterve 8:18).
Një nga dëshirat e mëdha të zemrës së Davidit ishte të ndërtonte një Tempull për Jehovain në Jerusalem. Zoti i dërgoi fjalë që atij nuk do t’i lejohej që ta ndërtonte Tempullin, sepse ai ishte një njeri i luftës, por Zoti shtoi këto fjalë domethënëse: «Bëre mirë që pate një gjë të tillë në zemër». Del qartë nga kjo se Perëndia e konsideron dëshirën për veprimin kur ne nuk jemi në gjendje që t’i kryejmë dëshirat tona për Të.
Kjo nuk zbatohet kur dështimi ynë për të kryer është për shkak të zvarritjes ose mosveprimit. Në këtë rast dëshira nuk mjafton. Sikurse është thënë, rrugët e ferrit janë të shtruara me qëllime të mira.
Por ka shumë raste në jetën e krishterë kur ne duam që të bëjmë diçka për t’i pëlqyer Zotit, por pengohemi nga rrethana përtej kontrollit tonë. Një besimtar i ri, për shembull, dëshiron që të pagëzohet, por kjo i ndalohet nga prindërit që janë jobesimtarë. Në një rast të tillë, Perëndia e konsideron mospagëzimin e tij pagëzim derisa ai të lërë shtëpinë dhe t’i bindet Zotit pa iu nënshtruar prindërve të tij.
Një grua e krishterë dëshiron që të shkojë në të gjitha takimet e asamblesë lokale, por burri i saj pijanec ngul këmbë që ajo të rrijë në shtëpi. Zoti e shpërblen si nënshtrimin e saj ndaj të shoqit, ashtu edhe dëshirën që ajo ka për t’u takuar me të tjerë në Emrin e Tij.
Një motër në moshë qau teksa pa të tjerë që shërbenin ushqimin në një konferencë biblike. Kishte qenë gëzimi i saj i madh për ta bërë këtë për shumë vjet, por tani ishte fizikisht e pamundur për të. Për aq sa i përket Perëndisë, ajo merr një shpërblim po aq të pasur për lotët e saj, sa edhe të tjerët për punën e tyre.
Kush e di se sa njerëz e kanë ofruar me gatishmëri veten e tyre për shërbim në fushën e misionit, por që nuk ishin kurrë në gjendje për të udhëtuar përtej qytetit të tyre? Perëndia e di – dhe të gjitha këto aspirata të shenjta do të shpërblehen në Gjyqin e Krishtit.
Ky parim zbatohet edhe në çështjen e të dhënit. Ka nga ata njerëz që tashmë po investojnë me sakrifica në veprën e Zotit dhe thjesht do të donin që të jepnin më shumë. Një ditë në të ardhmen, libri hyjnor i llogarive do të tregojë që ata dhanë vërtet më shumë.
Të sëmurët, invalidët, të mbyllurit [në shtëpi për arsye fizike], të moshuarit nuk janë të përjashtuar nga shpërblimet e vendit të parë, sepse, «në mëshirën e Tij, Perëndia na gjykon, jo vetëm sipas arritjeve tona, por sipas ëndrrave tona».