22 tetor
«Atëherë Jozueu, bir i Nunit, u mbush me frymën e diturisë, sepse Moisiu kishte vënë duart mbi të; kështu bijtë e Izraelit iu bindën atij dhe vepruan ashtu si e kishte urdhëruan Moisiun Zoti» (Ligji i Perterire 34:9).Një gjë të mprehtë e të rëndësishme që kuptojmë nga ky varg është se Moisiu e caktoi Jozueun si pasuesin e tij, duke e ditur që shërbesës së tij po i vinte fundi. Duke vepruar kështu ai la një shembull të mirë për ata që janë në detyrën e udhëheqjes frymërore. Disa mund të mendojnë se kjo është diçka tepër fillestare për t’u theksuar, por fakti është që shpesh bëhet një gabim trashanik duke mos i stërvitur pasuesit dhe duke mos ua kaluar punën atyre. Duket sikur ekziston një kundërshtim i lindur ndaj idesë që ne jemi të zëvendësueshëm.
Ndonjëherë ky është një problem që ka të bëjë me një plak në një bashkësi lokale. Ndoshta ai ka shërbyer besnikërisht për shumë vjet, por afrohet dita kur ai nuk do të jetë më në gjendje për të kullotur tufën. Megjithatë është e vështirë për të që të stërvitë një burrë më të ri për të zënë vendin e tij. Ai mund t’i shohë të rinjtë si një kërcënim për pozitën e tij. Ose ai mund të krahasojë papjekurinë e tyre me pjekurinë e vet dhe të arrijë në përfundimin se ata janë krejt të papërshtatshëm. Është e lehtë që ai vetë të harrojë se sa i papjekur ishte dikur dhe se si arriti në pjekurinë e tanishme duke u stërvitur për të kryer punën e një mbikëqyrësi.
Ky mund të jetë një problem edhe në fushën e misionit. Misionari e di që ai duhet t’i stërvitë vendasit për të marrë vendet e udhëheqjes. Por ai arsyeton duke thënë se ata nuk mund ta bëjnë këtë aq mirë sa ai. Dhe ata bëjnë kaq shumë gabime […] dhe pjesëmarrja në takime do të bjerë nëse nuk predikon vetëm ai. Dhe, mbi të gjitha, ata nuk dinë si të drejtojnë. Përgjigjja për të gjitha këto argumente është që ai duhet ta shohë veten si të zëvendësueshëm. Ai duhet t’i stërvitë vendasit dhe t’ua delegojë autoritetin atyre derisa ai ta mbarojë punën në atë zonë të caktuar. Gjithmonë ka fusha të papunuara gjetkë. Ai kurrë nuk ka pse të jetë i papunë.
Kur Moisiu u zëvendësua nga Jozueu pati një kalim të qetë. Nuk pati ndonjë zbrazëti të udhëheqjes. Kauza e Perëndisë nuk pati ndonjë traumë. Kjo është mënyra se si duhet të jetë.
Çdo shërbëtor i Perëndisë duhet të gëzohet kur sheh burra më të rinj që vihen në detyra kryesimi. Ata duhet ta konsiderojnë një privilegj të madh të ndajnë njohurinë dhe përvojat e tyre me këta dishepuj, pastaj t’ua lënë punën atyre para se të detyrohen ta bëjnë këtë gjë nga dora e vdekjes. Ata duhet të kenë atë qëndrimin altruist që Moisiu shfaqi në një rast tjetër kur tha: «Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit».