23 maj

[no_toc]

23 maj | çdo ditë me radhë

«Që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një ne ne, që bota të besojë që t’i më ke dërguar» (Gjoni 17:21).

Dy herë në lutjen e Tij të madhe si kryeprift, Zoti ynë u lut që njerëzit e Tij të jenë një (vargjet 21, 22, 23). Kjo lutje për unitet është përdorur si mbështetje shkrimore [biblike] për lëvizjen ekumenike – një bashkim i madh organizativ i të gjitha kishave të krishtera deklaruese. Fatkeqësisht, ky unitet ekumenik arrihet përmes braktisjes ose ri-interpretimit të doktrinave themelore të krishtera. Siç ka shkruar Malkolm Magërixhi (Malcolm Muggeride): «Si një nga ironitë më të mëdha të kohës sonë, ekumenikalizmi është fitimtar kur nuk ka asgjë për të cilën të jesh ekumenik; trupat fetarë të ndryshëm ka shumë mundësi ta shohin të lehtë bashkimin me njëri-tjetrin vetëm sepse, duke besuar pak, ata ndryshojnë përkatësisht pak».

A është ky lloji i unitetit për të cilën Zoti Jezus po lutej në Gjoni 17? Ne mendojmë që jo. Ai tha se uniteti që Ai kishte në mendje do të rezultonte në besimin nga bota që Perëndia e kishte dërguar Atë. Është tepër e dyshimtë që kjo të ndodh nga ndonjë federim i jashtëm.

Zoti e përkufizoi unitetin që kishte në mendje kur tha: «…ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata që jenë një në ne». Ai tha gjithashtu: «…ashtu si ne jemi një, unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë të përsosur në unitet [në një]». Çfarë uniteti ndajnë Ati dhe Biri që edhe ne mund të bëjmë pjesë në të? Jo fakti i hyjnisë së përbashkët të tyre; ne nuk mund të marrim pjesë kurrë në këtë. Unë do të sugjeroja që Zoti Jezus po i referohej një uniteti të bazuar në ngjashmërinë e përbashkët morale. Ai po lutej që besimtarët të jenë një në shfaqjen e karakterit të Perëndisë dhe të Krishtit para botës. Kjo do të thotë jetë të drejtësisë, shenjtërisë, hirit, dashurisë, pastërtisë, durimit, vetëkontrollit, zemërbutësisë, gëzimit dhe bujarisë. Ronald Sideri sugjeron në [librin] «Të krishterë të pasur në një epokë urie» se uniteti për të cilin u lut Krishti u manifestua kur të krishterët e hershëm ndanin lirshëm njëri me tjetrin kurdoherë që e kërkonte nevoja. Ata kishin një frymë të vërtetë të «koinoina» ose pjesëmarrjes [përbashkësisë]. «Lutja e Jezusit që uniteti i përzemërt i ndjekësve të Tij do të ishte aq i goditur sa bota do të bindej se Ai kishte ardhur nga Ati, kishte marrë përgjigje – të paktën njëherë! Kjo ndodhi në kishën e Jerusalemit. Cilësia e pazakontë e jetë së tyre me njëri-tjetrin e fuqizoi predikimin apostolik» (shih Veprat e Apostujve 2:45-47; 4:32-35).

Sot një unitet i tillë do të linte një përshtypje të thellë për botën. Ndërsa të krishterët paraqesin një dëshmi të përbashkët duke rrezatuar jetën e Zotit Jezus, jobesimtarët do të binden për mëkatin e tyre dhe do të kenë etje për ujin e gjallë. Tragjedia e sotme është se shumë të krishterë gati sa nuk dallohen fare nga komshinjtë e tyre të kësaj bote. Në rrethana të tilla janë të pakta nxitjet që jobesimtarët të konvertohen.