23 qershor

[no_toc]

23 qershor | çdo ditë me radhë

«…ata që kanë fjetur në Jezusin» (1 Thes. 4:14, NASB)

Si duhet të reagojmë kur një nga të dashurit [të afërmit] tanë vdes në Zotin? Disa të krishterë shemben emocionalisht. Të tjerë, edhe pse të hidhëruar, janë në gjendje që ta përballin heroikisht. Kjo varet se sa të rrënjosur jemi në Perëndinë dhe se sa plotësisht i përvetësojmë të vërtetat e mëdha të besimit tonë.

Para së gjithash, ne duhet ta shohim vdekjen nga këndvështrimi i Shpëtimtarit. Ajo [vdekja] është një përgjigje e lutjes së Tij në Gjoni 17:24: «O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time…». Kur të dashurit tanë shkojnë që të jenë me Të, Ai sheh frytin e mundimit të shpirtit të Tij dhe kënaqet (Isa. 53:11). «Është e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij» (Psa. 116:15).

Më pas ne duhet të vlerësojmë se çfarë do të thotë kjo për atë që ka vdekur. Atij i është dhënë që të shoh Mbretin në bukurinë e Tij. Ai është përgjithnjë i lirë nga mëkati, sëmundja, vuajtja dhe dhimbja. Ai është larguar nga e keqja që ka për të ardhur (Isa. 57:1, AV). «Asgjë nuk krahasohet me shkuarjen në shtëpi të një shenjtori të Perëndisë […] të shkojë në shtëpi, të lërë mbrapa këta lëmshe të vjetër balte, të zgjidhet nga skllavëria e materiales – i mirëpritur nga shoqëria e panumërt e engjëjve». Peshkopi Rajli (Bishop Ryle) shkroi: «Në po atë moment që besimtarët vdesin, ata janë në parajsë. Ata e kanë luftuar luftën. Konflikti i tyre ka mbaruar. Ata kanë kaluar përmes asaj lugine të zymtë që ne duhet të shkelim një ditë. Ata kanë kaluar atë lumë të errët që ne duhet të kalojmë një ditë. Ata kanë pirë atë kupë të fundit të hidhur që mëkati ka përzier për njeriun. Ata kanë arritur atë vend ku dhimbja dhe psherëtima nuk janë më. Me siguri që ne nuk do të uronim që ata të kthehen mbrapa! Ne nuk duhet të qajmë për ata, po për veten tonë». Besimi e përvetëson këtë të vërtetë dhe aftësohet që të qëndrojë fort si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit.

Për ne vdekja e një të dashuri përfshin gjithnjë trishtim. Por ne nuk trishtohemi si të tjerët që nuk kanë shpresë (1 Thes. 4:13). Ne e dimë se i dashuri ynë është me Krishtin, gjë që është shumë herë më mirë. Ne e dimë se ndarja është vetëm për pak kohë. Atëherë ne do të ribashkohemi në kodrat e tokës së Emanuelit dhe do ta njohim njëri-tjetrin në rrethana më të mira, sesa i kemi njohur ndonjëherë këtu poshtë. Ne mezi presim ardhjen e Zotit kur të vdekurit në Krishtin do të ngjallen të parët, ne që jemi gjallë dhe do të mbetemi [deri në ardhjen e Zotit] do të rrëmbehemi [merremi] bashkë me ata në re për të takuar Zotin në ajër dhe kështu do të jemi përgjithmonë me Zotin (1 Thes. 4:16, 17). Kjo shpresë e bën të gjithë ndryshimin.

Dhe kështu përdëllimet e Perëndisë nuk janë tepër të vogla për ne (Job. 15:11). Dhimbja jonë është e përzier me gëzim dhe ndjenja e humbjes kompensohet akoma më shumë nga premtimi i bekimit të përjetshëm.

[previous][next]