23 shtator

[no_toc]

23 shtator

«O shpirti im, mos hyr në sekretet e tyre» (Zanafilla 49:6).

Këto fjalë gjenden në bekimin që Jakobi u bëri të bijve. Kur mendoi për mizorinë që Simeoni dhe Levi treguan ndaj njerëzve të qytetit të Sikemit, ai tha: «O shpirti im, mos hyr në sekretet e tyre».

Do të dëshiroja t’i merrja këto fjalë dhe t’i përdorja në një kuptim më të gjerë. Ka sekrete të lidhura shumë ngushtë me mëkatin, të cilat është më mirë të mos i dish kurrë.

Tundimi na vjen me maskën më të mirë dhe na sugjeron që nuk mund të jemi kurrë të lumtur derisa të jemi njohur me misteret e saj. Ajo ofron emocione të forta, kënaqësi fizike, eufori dhe joshjen e së panjohurës.

Shumë njerëz, sidomos ata që kanë patur jetë të rehatshme, ndikohen nga këto joshje. Ata ndiejnë që e kanë humbur kënaqësinë e vërtetë. Ata e konsiderojnë veten të shpërfillur. Ata mendojnë se nuk do të jenë kurrë të kënaqur derisa të kenë shijuar botën.

Por problemi është se mëkati nuk vjen kurrë vetëm. Ka rreziqe të brendshme dhe pasoja që zgjatin. Kur përjetojmë një mëkat për herë të parë, ne çlirojmë një vërshim dhimbje dhe keqardhje.

Nëse i jepemi tundimit kjo ul rezistencën tonë ndaj mëkatit. Kur kryejmë një mëkat, do të jetë gjithnjë më e lehtë për ta kryer atë herës tjetër dhe shpejt bëhemi ekspertë të mëkatit. Ne madje bëhemi skllevër të tij, të lidhur me vargonjtë e veseve.

Në çastin që i dorëzohemi tundimit, sytë tanë hapen dhe na pushton një ndjenjë e tillë faji që nuk e kemi përjetuar kurrë më parë. Euforia e thyerjes së kodit të mëkatit pasohet nga një ndjenjë e tmerrshme e lakuriqësie morale. Është e vërtetë që mëkati mund të rrëfehet dhe të falet, por gjatë gjithë jetës na shoqëron sikleti për të takuar ish-partnerët e shkeljes së ligjit. Na shoqëron goditja e kujtesës kur pashmangshmërisht do të vizitojmë sërish vendet e marrëzive tona. Kemi edhe raste të padëshiruara kur i tëri episodi i ndyrë na shfaqet përsëri gjatë momenteve tona më të shenjta – kur në të vërtetë trupat tanë dridhen dhe kur buzët tona rënkojnë.

Ndonëse është e mrekullueshme të përjetosh faljen e Perëndisë për këto mëkate, është akoma më mirë që të mos hyjmë në sekretet e tyre që në fillim. Ajo që na ofrohet si një sekret tërheqës del se është një ankth. Shumë shpejt kënaqësia kthehet në lemeri dhe një çast pasioni çon në një jetë keqardhje.

Në orën e sprovës, përgjigjja jonë duhet të jetë: «O shpirti im, mos hyr në sekretet e tyre».

[previous][next]