24 gusht

[no_toc]

24 gusht

«Kështu thotë Zoti: “Mbaje zërin tënd nga e qara, sytë e tu nga të derdhurit lot, sepse vepra jote do të shpërblehet”, thotë Zoti, “ata do të kthehen nga vendi i armikut”» (Jer. 31:16).

Stefani ishte rritur në fushën e misionit. Ai e deklaroi besimin në Krishtin që në moshë të vogël dhe madje drejtoi disa njerëz për të pranuar Zotin. Kur shkoi për herë të parë në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur universitetin, ai ruajti një dëshmi të mirë. Por në atë kohë ai filloi të lëkundet. Filloi ftohtësia. Ai bëri kompromis me mëkatin. S’kaloi shumë dhe ai filloi të merret paksa me fetë lindore.

Kur prindërit e tij u kthyen në shtëpi me leje, ata ishin zemërvrarë. Ata iu lutën, arsyetuan dhe iu përgjëruan, por ai ishte i paepur. Më në fund ata i shkuan për vizitë atje ku jetonte bashkë me tre të tjerë. Ajo çka ata panë atje i lëndoi krejt. Ata shkuan në shtëpi dhe qanë me të madhe.

Ata shkuan në krevat dhe u përpoqën të flinin por ishte e kotë. Më në fund nga ora 4 e mëngjesit ata vendosën të ngrihen dhe të kalonin kohën e qetë të mëngjesit. Zakonisht atyre i binte që të lexonin kapitullin 31 të Jeremias atë ditë, por burri tha: «Jo Jeremian!» duke menduar se profeti vajtues nuk do të kishte ngushëllim për ta. Por Zoti sundoi dhe ata u kthyen te Jeremia 31. Kur arritën te vargu i 16-të, ata lexuan: «Mbaje zërin tënd nga e qara, sytë e tu nga të derdhurit lot, sepse vepra jote do të shpërblehet”, thotë Zoti, “ata do të kthehen nga vendi i armikut”».

Mijëra prindër të krishterë janë zemërplasur sot, duke vajtuar për bij dhe bija rebele. Kur ata luten, qiejtë duken si tunxh. Ata fillojnë të pyesin veten nëse a është në gjendje Perëndia apo a do t’i kthejë ndonjëherë të larguarit.

Ata duhet të kujtohen që asnjë rast nuk është tepër i vështirë për Zotin. Ata duhet të vazhdojnë të luten, duke u siguruar që në çdo rast të jenë falënderues. Ata duhet të luten sipas premtimeve të Fjalës së Perëndisë.

Kur nëna e përmendur më lart pyeste veten nëse ishte në rregull që ishte lutur sipas Jeremias 31:16, ajo lexoi në Isaia 49:25: «Unë vetë do të luftoj me atë që lufton me ty dhe do të shpëtoj bijtë e tu».