24 maj | çdo ditë me radhë
«Pasuria e përftuar në mënyrë të pandershme do të katandiset në pak gjëra» (Fjalet e Urta 13:11).
«Ju tashmë mund të keni fituar 100.000 dollarë!» Me këtë dhe joshje të ngjashme ne jemi duke u bombarduar vazhdimisht nga tundimi për të marrë pjesë në ndonjë formë kumari. Amvisa që bën pazarin në supermarket joshet nga lotaritë më të fundit. Qytetari i zakonshëm nxitet që të dërgojë emrin e tij (bashkë me kuotën e pajtimit për një revistë) për të marrë pjesë në një lotari të ardhshme që përfshin miliona. Ose mund të jetë një lojë bingoje ku ju pothuaj siguroheni se do të jeni fitues.
Dhe, sigurisht, kemi edhe format më të qarta të kumarit – ruleta, gara me kuaj, gara me qen, loja me numra [një lotari e përditshme ilegale] etj.
Çfarë ka për të thënë Bibla për të gjitha këto? Asgjë të mirë.
Ajo thotë: «Pasuria e përftuar në mënyrë të pandershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t’i shtohet ajo» (Fjalet e Urta 13:11).
Ajo thotë: «Njeriu me sy të keq dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria» (Fjalet e Urta 28:22).
Ajo thotë: «Kush fiton pasuri në mënyrë të padrejtë është si thëllëza që ngroh vezë që nuk i ka bërë vetë; në mes të ditëve të tij ka për t’i lënë dhe në fund do të gjendet i shushatur [i pamend]» (Jer. 17:11).
Ndonëse Dhjetë Urdhërimet nuk thonë qartë: «Nuk do të luash kumar», ato thonë, në fakt: «Nuk do të dëshirosh [lakmosh]» (Eksodi 20:17) dhe çfarë është kumari, veçse një formë e lakmisë?
Kumari do të ketë përherë një ngjyrim të keq për besimtarët kur ata kujtojnë se ushtarët romakë hodhën short [luajtën kumar] për rrobën pa tegel në skenën e kryqëzimit të Tij.
Ki gjithashtu parasysh varfërinë dhe hidhërimin që kumarxhinjtë kronikë i kanë sjellë familjeve të tyre, krimet që janë kryer për të kompensuar humbjet si edhe lidhjet e këqija që kanë të bëjnë me kumarin dhe do të bëhet e qartë se ai nuk duhet të ketë vend në jetën e një të krishteri.
Pali, pasi e kujton Timoteun se besimtari duhet të jetë i kënaqur me ushqim dhe veshje, paralajmëron se «ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim» (1 Tim. 6:9).