24 mars

[no_toc]

24 mars | çdo ditë me radhë

«Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit» (Efesianeve 4:7).

Ne duhet të kujtojmë gjithmonë se sa herë që Zoti na kërkon të bëjmë diçka, Ai na jep fuqinë e nevojshme. Të gjitha urdhrat e Tij përfshijnë aftësimin e Tij, edhe kur këto urdhra janë në fushën e të pamundurës.

Jethro i tha Moisiut: «Në qoftë se ti vepron kështu, dhe kështu të urdhëron Perëndia, mund të mbahesh [do të jesh në gjendje të durosh]» (Eksodi 18:23). Parimi është se Perëndia merr përgjegjësi të plotë që të aftësojë njeriun e Tij për të përmbushur çdo detyrë për të cilën e ka caktuar» (J. O. Sanders).

Në shërbesën e Tij Zoti Jezus u takua me të paktën dy burra që ishin të paralizuar (Mt. 9:6; Gjoni 5:9). Në të dyja rastet Ai u tha atyre që të ngriheshin dhe të merrnin vigun e tyre. Ndërsa ata e ushtruan vullnetin që të bindej, në gjymtyrët e tyre të paafta rrodhi fuqia.

Pjetri ndjeu se nëse Zoti Jezus e thirri që të shkonte mbi ujë, atëherë ai mund të ecte mbi ujë. Posa Jezus tha «Eja», Pjetri doli nga varka dhe eci mbi ujë.

Vështirë se burri me dorën e tharë mund ta shtrinte atë; mirëpo kur Zoti ynë i tha që ta bënte, ai e bëri dhe dora iu restaurua.

Ideja që të ushqesh 5.000 njerëz me disa bukë dhe peshq është e pamundur. Por kur Jezusi iu tha dishepujve: «Jepuni të hanë», pamundësia u zhduk.

Llazari kishte qenë i shtrirë në varr prej katër ditësh kur Jezusi thirri: «Llazar, dil jashtë». Urdhri u shoqërua me fuqinë e nevojshme. Llazari doli jashtë.

Ne duhet ta përvetësojmë këtë të vërtetë. Kur Perëndia na drejton, ne nuk duhet të zmbrapsemi me justifikimin se nuk mund ta bëjmë dot. Nëse Ai na thotë që të bëjmë diçka, Ai do ta sigurojë fuqinë. Është thënë shumë mirë: «Vullneti i Perëndisë nuk do të të drejtojë kurrë atje ku hiri i Perëndisë nuk do të të mbajë ty».

Është njëlloj e vërtetë se kur Perëndia kërkon diçka, Ai paguan për atë që kërkon. Nëse jemi të sigurt për drejtimin e Tij, ne nuk kemi pse të shqetësohemi për financat. Ai do të sigurojë.

Perëndia që hapi Detin e Kuq dhe Jordanin që populli i Tij të kalonte është i njëjti sot. Ai vazhdon ende të largojë pamundësitë kur njerëzit e Tij i binden vullnetit të Tij. Ai vazhdon ende të sigurojë të gjithë hirin e nevojshëm për të bërë çfarëdo që Ai urdhëron. Ai vepron akoma në ne vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij [të mirë].