24 qershor

[no_toc]

24 qershor | çdo ditë me radhë

«I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë» (Marku 10:14).

Vdekja e fëmijëve është gjithmonë një sprovë e madhe veçanërisht për besimin e njerëzve të Perëndisë dhe është e rëndësishme që të kemi disa spiranca të qëndrueshme për t’u mbajtur gjatë një kohe të tillë.

Besimi i përgjithshëm midis të krishterëve është se fëmijët që vdesin përpara se të arrijnë moshën e përgjegjësisë janë të sigurt përmes gjakut të Jezusit. Arsyetimi shkon pak a shumë kështu: vetë fëmija nuk e ka patur kurrë aftësinë qoftë për të pranuar ose refuzuar Shpëtimtarin, kështu që Perëndia ia llogarit atij të gjithë vlerën e veprës së Krishtit mbi kryq. Ai është i shpëtuar përmes vdekjes dhe ringjalljes së Zotit Jezus, edhe pse ai vetë nuk e ka kuptuar plotësisht vlerën shpëtuese të asaj vepre.

Për sa i përket moshës së përgjegjësisë, askush veç Perëndisë nuk e di se kur vjen. Është e qartë se është e ndryshme në çdo rast, duke qenë se njëri fëmijë mund të piqet më parë se një tjetër.

Ndonëse nuk ka asnjë varg biblik që të thotë në mënyrë specifike se fëmijët që vdesin përpara moshës së përgjegjësisë shkojnë në qiell, ka dy linja të Shkrimit që e mbështetin këtë pikëpamje. E para është vargu i sotëm: «I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë» (Marku 10:14). Duke folur për fëmijët, Jezusi tha: «…e tyre është mbretëria e Perëndisë». Ai nuk tha që ata duhet të bëhen të rritur që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë, por që ata vetë janë karakteristikë e atyre që janë në mbretërinë e Perëndisë. Ky është një argument shumë i fortë për shpëtimin e fëmijëve të vegjël.

Një linjë tjetër argumentimi është si vijon. Kur Jezusi po fliste për të rriturit, Ai tha: «Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur» (Luka 19:10). Por kur ai po fliste për fëmijët, Ai nuk përfshiu ndonjë fjalë për kërkim. Ai thjesht tha: «Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur» (Mt. 18:11). Nënkuptimi këtu është se fëmijët nuk kanë bredhur ashtu si të rriturit dhe që Shpëtimtari, në mënyrë sovrane, i mbledh ata në vathën e Tij në kohën e vdekjes së tyre. Edhe pse nuk kanë ditur gjë kurrë për veprën e Krishtit, Perëndia e di dhe ia llogarit në llogarinë e tyre të gjithë vlerën shpëtuese të asaj vepre.

Ne nuk duhet të dyshojmë kujdesin [ang. providence] e Perëndisë kur Ai na i merr fëmijët. Siç shkroi Xhim Elioti: «Unë nuk duhet ta shoh të çuditshme nëse Perëndia i merr në rini ata që unë do t’i mbaja në tokë derisa të arrinin në pleqëri. Perëndia është duke populluar përjetësinë dhe unë nuk duhet ta kufizoj Atë me burra dhe gra të moshuar».