25 mars

[no_toc]

25 mars | çdo ditë me radhë

«Në fillim Perëndia—» (Zanafilla 1:1).

Nëse i ndajmë tri fjalët e para të Zanafillës 1:1 nga pjesa tjetër e vargut, ato formojnë një lloj motoje për tërë jetën. Ato thonë: «Perëndia i pari».

Këtë moto e gjejmë të sugjerohet në urdhërimin e parë: «Nuk do të kesh perëndi të tjera para meje». Askush dhe asgjë nuk duhet të zërë vendin e Perëndisë së gjallë dhe të vërtetë.

Këtë mësim e gjejmë në historinë e Elias dhe të vesë që i kishte ngelur aq miell dhe vaj, sa për të bërë një copë bukë të fundit për djalin e saj dhe për veten (1 i Mbreterve 17:12). Çuditërisht, Elia tha: «Më bëj mua të parit pak bukë». Edhe pse kjo mund të tingëllojë si egoizëm i vrazhdë, nuk ishte kështu. Elia ishte një përfaqësues i Perëndisë. Ai ishte duke thënë: «Thjesht vendos Perëndinë të parin dhe furnizimi i nevojave që ke në jetë nuk do të mungojë kurrë».

Zoti Jezus mësoi të njëjtën gjë shekuj më vonë në predikimin mbi mal kur tha: «Para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen» (Mt. 6:33). Prioriteti qendror në jetë është mbretëria e Perëndisë dhe drejtësia e Tij.

Përsëri Shpëtimtari kërkoi vend parësor në Luka 14:26: «Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im». Krishti duhet të ketë vend të parë.

Por si e vendosim Perëndinë të parin? Ne kemi familjen për të cilën duhet të kujdesemi. Ne kemi punën laike për të cilën duhet të mendojmë. Ne kemi një mori detyrash që kërkojnë kohën dhe burimet tona. Ne e vendosim Perëndinë të parin duke e dashur Atë me një dashuri përballë të cilave të gjitha dashuritë e tjera janë urrejtje nëse krahasohen. Duke përdorur gjithçka materiale si një trust për Të, duke u kapur vetëm pas atyre gjërave që mund të përdoren në lidhje me mbretërinë e Tij. Duke i dhënë prioritetin më të lartë çështjeve me pasoja të përjetshme, duke kujtuar se edhe gjërat e mira janë ndonjëherë armiq të më së mirës.

Interesat më të mira të njeriut gjenden në një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë. Kjo marrëdhënie e drejtë është kur Perëndisë i jepet vendi i parë. Madje edhe kur njeriu e vendos Perëndinë të parin, ai do të ketë disa probleme, por do të gjejë përmbushje në jetë. Por kur ai e vendos Perëndinë të dytin, nuk do të ketë gjë tjetër veçse probleme – dhe një ekzistencë të mjerë.