27 korrik
«Ja, ti je për ta si një këngë dashurie e dikujt që ka një zë të bukur dhe di t’i bjerë mirë një vegle; ata dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i vënë në praktikë» (Eze. 33:32).Një nga ironitë e shpalljes së fjalës së Zotit është se njerëzit janë shpesh të magjepsur me folësin, por jo me mesazhin që kërkon veprim nga ata.
Kjo është e vërtetë për predikimin publik. Njerëzit e admirojnë predikuesin. Ata i mbajnë mend shakatë dhe ilustrimet e tij. Ata kapen fort pas mënyrës së tij të shqiptimit të fjalëve. Si ajo gruaja që tha: «Unë pothuaj mund të qaj sa herë që shërbyesi [pastori, predikuesi] im thotë atë fjalë të bekuar “Mesopotami”». Por ata janë të paralizuar për sa i përket bindjes. Ata janë të imunizuar kundër veprimit. Atyre u është bërë anestezi nga zëri i këndshëm.
Kjo është një sindromë e njohur për ata që drejtojnë një shërbesë këshillimi. Ka disa njerëz që gjejnë një kënaqësi të fshehtë për të marrë këshilla. Ata mezi presin që të jenë qendra e vëmendjes për atë një orë të shkurtër pak a shumë. Ata e gëzojnë miqësinë e këshilltarit aq shumë, që bëhen këshillë-marrës kronik.
Supozohet që ata kanë ardhur për t’u këshilluar. Por ata nuk duan vërtet që të këshillohen. Mendjet e tyre tashmë janë të vendosura. Ata e dinë se çfarë duan të bëjnë. Nëse këshilla e këshilltarit pajtohet me dëshirën e tyre, atëherë ata bëhen të fortifikuar. Nëse jo, ata do ta refuzojnë këshillën e tij dhe do të vazhdojnë në rrugën e tyre kokëfortë.
Mbreti Herod i përkiste këtij grupi diletantësh. Ishte një gëzim për të kur dëgjonte Gjon Pagëzorin (Marku 6:20), por ai ishte një amator i sipërfaqshëm. Ai nuk kishte aspak qëllim që ta lejonte mesazhin për të ndryshuar jetën e tij.
Ervin Luceri (Erwin Lutzer) shkruan: «Kam zbuluar se problemi më pengues për të ndihmuar ata që vijnë për të marrë këshillë është thjesht se shumë njerëz nuk duan të ndryshojnë. Sigurisht, ata janë të përgatitur që të bëjnë rregullime të vogla – sidomos nëse sjellja e tyre po i fut në telashe. Por shumica prej tyre janë të rehatshëm me mëkatin e tyre për sa kohë që ai nuk del jashtë kontrollit. Dhe shpesh ata do të parapëlqejnë që Perëndia ta mbajë aktivitetin e Tij në jetët e tyre në minimum».
Disa këshilltarë kanë zhvilluar një manovër për të lidhur hendekun midis dëgjimit dhe zbatimit. Ata i japin personit që ka ardhur për këshillë një detyrë specifike – diçka që ai duhet ta bëjë para se të vijë për një seancë tjetër. Kjo bën që të eliminojë ata që nuk janë seriozë. Kjo shmang harxhimin e kohës për të dy palët.
Është një gjë serioze të arrish atë fazë në jetë kur ne e dëgjojmë Fjalën e Perëndisë dhe nuk prekemi nga ajo. Ne duhet të lutemi për ndjeshmëri të vazhdueshme ndaj zërit të Zotit dhe për një gatishmëri që të kryejmë çdo gjë që Ai na thotë.