28 korrik

[no_toc]

28 korrik

«I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht» (Isa. 55:7).

Mëkatari i dridhur druan se Perëndia nuk do ta pranojë atë. I tërhequri i penduar dyshon nëse a do ta harrojë ndonjëherë Perëndia këtë. Por vargu ynë na kujton se ata që kthehen te Zoti priten me dhembshuri [mëshirë] të bollshme dhe falje bujare.

Kjo ilustrohet nga një histori që del herë pas here në sipërfaqe gjatë viteve – një histori ku hollësitë ndryshojnë, por mesazhi mbijeton. Ajo flet për një djalë rebel që e la shtëpinë, shkoi në Nju Jork, jetoi në mëkat dhe në turp dhe në fund përfundoi në burg. Mbas katër vitesh në burg, ai u lirua me kusht dhe dëshironte me të madhe që të shkonte në shtëpi. Por ai mundohej nga frika se mos babai nuk do ta pranonte. Ai nuk mund të përballej me zhgënjimin e të qenit i refuzuar.

Përfundimisht, ai i shkroi babit duke mos i dhënë adresë kthimi. Ai tha se do të ishte në tren këtë të premte. Nëse familja e donte, ata duhet të lidhnin një shami të bardhë në lisin përpara shtëpisë. Nëse ai nuk do të shihte asnjë shami ndërsa treni do të kalonte, ai do të vazhdonte rrugën.

Tani ai është në tren, i ngrysur dhe i rezervuar, duke druajtur më të keqen. Sikurse ndodh, një i krishterë është ulur pranë tij. Mbas disa përpjekjesh të pasuksesshme, më në fund i krishteri e bën të hapet dhe të tregojë historinë e tij. Tani kanë ngelur tetëdhjetë kilometra deri të shtëpia. Plëngprishësi i kthyer luhatet midis frikës dhe shpresës. Gjashtëdhjetë e pesë kilometra. Ai mendon për çnderimin që ka sjellë mbi prindërit dhe se si i ka thyer zemrat e tyre. Dyzet e pesë kilometra. Vitet e shpenzuara kot i kalojnë në mendje. Tridhjetë kilometra. Pesëmbëdhjetë kilometra. Tetë kilometra.

Më në fund duket pamja e shtëpisë. Ai qëndron ulur i tronditur. Lisi është i mbuluar me breza rrobash të bardha, duke u valëvitur me të madhe nga flladi. Ai ngrihet, ul valixhen dhe bëhet gati për të zbritur te stacioni.

Pema, sigurisht, flet për kryqin. Me krahë të shtrira dhe të veshura me premtime të panumërta të faljes, ai ia bën me shenjë mëkatarit të penduar që të kthehet. Çfarë mikpritje për në shtëpinë e Atit! Çfarë falje e pakufizuar kur endacaku kthehet!