27 nëntor

[no_toc]

27 nëntor

«Po, unë vij shpejt» (Zbulesa 22:20).

Ndërsa i afrohemi fundit të epokës, është e parashikueshme se shumë do ta braktisin shpresën e kthimit në çdo çast të Krishtit. Por e vërteta është akoma aty, pavarësisht nëse njerëzit e besojnë apo jo.

Fakti është se Zoti Jezus mund të vijë në çdo çast. Ne nuk e dimë ditën ose orën e kthimit të Dhëndrit për nusen e Tij; kjo do të thotë se Ai mund të vijë sot. Nuk ka asnjë profeci që duhet të përmbushet para se të dëgjojmë thirrjen e Tij, zërin e kryeengjëllit dhe borinë e Perëndisë. Vërtet, kisha pret të përjetojë mundime gjatë tërë kohës së saj mbi tokë, por tmerret e periudhës së Mundimit nuk janë pjesë e të ardhmes së saj. Nëse kisha duhet të kalojë përmes Mundimit, kjo do të thotë se Zoti nuk mund të vijë për të paktën shtatë vjet, sepse me patjetër nuk jemi tani duke kaluar Mundimin, dhe kur të vijë, do të zgjatë shtatë vjet.

Kemi një grup të madh tekstesh nga Shkrimi që na mësojnë të jemi gati në çdo kohë për shfaqjen e Shpëtimtarit. Vini re këto që vijojnë: «…është më afër se kur besuam» (Rom. 3:11).

«Nata u kthye dhe dita u afrua» (Rom. 13:12).

«Zoti është afër» (Filipianeve 4:5).

«Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë» (Heb. 10:37).

«…ardhja e Zotit është afër» (Jakobit 5:8).

«…gjykatësi është te dera» (Jakobit 5:9).

«Por fundi i të gjitha gjërave u afrua» (1 Pjetrit 4:7). Këto vargje duket se kanë si qëllim të krijojnë në mendje përshtypjen se ardhja e Zotit është e afërt. Është një ngjarje për të cilën duhet të jemi gati dhe duke pritur. Ne duhet të jemi të zënë në shërbim të Tij, duke i zbatuar besnikërisht ato që na janë besuar.

R. A. Torri tha dikur: «Kthimi i afërt i Zotit tonë është argumenti i madh i Biblës për një jetë aktive shërbimi të pastër, altruiste, të përkushtuar, jo të kësaj bote. Në shumë predikime tonat ne u bëjmë thirrje njerëzve për të jetuar me shenjtëri dhe të punojnë me zell, sepse vdekja po afrohet me të shpejtë, por ky nuk është kurrë argumenti i Biblës. Argumenti i Biblës është gjithnjë, Krishti po vjen; jini gati kur të vijë Ai».

Përgjegjësia tonë është e qartë. Ijët tona duhet të ngjishen, dritat tona duhet të digjen dhe ne duhet të jemi si ata që presin Zotin e tyre (shih Luka 12:35, 36). Le të mos dorëzohemi para atyre që mësojnë se nuk kemi asnjë të drejtë që ta presim Atë në çdo çast. Për më tepër le të besojmë në kthimin e afërt të Tij, ta mësojmë këtë me entuziazëm dhe ta lejojmë të vërtetën të ndriçojë jetën tonë.

[previous][next]