27 shtator
«Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë» (Zbulesa 21:8).
Ndoshta do të mbeteni të goditur, cilido që jeni, ndërsa lexoni në këtë varg që frikacakët dhe të pabesët përfshihen në të njëjtën listë me ata të cilët i shohim si mizorë, si mëkatarë të ndyrë dhe që ata do të kenë të njëjtin dënim për tërë përjetësinë.
Ndoshta surpriza shtohet ndërsa vëmë re që frikacakët janë të parët në listë. Kjo duhet me të vërtetë të sjellë në vete këdo që e justifikon druajtjen e tij si një çështje të papërfillshme. Ndoshta ata kanë frikë ta pranojnë Zotin Jezus për shkak të asaj se çfarë do të thonë shokët, ose sepse ata kanë prej natyre një personalitet të mbyllur. Perëndia nuk e justifikon këtë si diçka të parëndësishme; Ai e shikon këtë lloj frike fajtore.
Kjo duhet të bëjë të kthjellohen edhe ata që janë renditur të dytët – të pabesët. Ne i dëgjojmë njerëzit duke thënë: «Unë s’mund të besoj» ose «Do të doja të besoja». Por këto thënie janë jo të sinqerta. Nuk ka asgjë në lidhje me Shpëtimtarin që e bën të pamundur për njerëzit që të besojnë në Të. Problemi nuk qëndron në intelektin e njeriut por në vullnetin e tij. Jobesimtarët nuk duan të besojnë në Të. Zoti Jezus u tha kështu judenjve mosbesues të ditëve të Tij: «…ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën» (Gjoni 5:40).
Sigurisht që shumë prej frikacakëve dhe të pabesëve e shohin veten si njerëz moralë, të mirë dhe me kulturë. Në këtë jetë ata duan që të mos kenë të bëjnë fare me vrasësit, me njerëzit imoralë ose me ata që praktikojnë artet magjike. Por ironia e fatit është që ata do ta kalojnë përjetësinë bashkë, sepse ata nuk shkuan kurrë te Krishti për t’u shpëtuar.
Fati i tyre është «liqeni që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë». Kjo, sigurisht, është tragjedia më e lartë. Njerëzit mund të argumentojnë në lidhje me ekzistencën e ferrit dhe për faktin e dënimit të përjetshëm, por Bibla është shumë e qartë. Ferri ekziston me të vërtetë në fundin e një jete pa Krishtin.
Ajo që e bën akoma më të trishtueshëm këtë fakt është që as frikacakët as të pabesët apo kushdo tjetër i renditur në vargun e sotëm nuk ka pse të shkojë në liqenin e zjarrit. Është diçka krejtësisht e panevojshme. Nëse ata thjesht do të pendohen nga frika e dyshimet që kanë dhe nga mëkatet e tjera dhe të kthehen te Zoti Jezus me një besim të thjeshtë e të çiltër, ata do të falen, do të pastrohen dhe do të jenë të përshtatshëm për të shkuar në parajsë.