Ezekieli

Nga kapitulli i parë deri tek ai i fundit të Ezekielit përshkon një mendim tepër i lartë, ai i sovranitetit dhe lavdisë së Zotit Perëndi. Ai është sovran në Izrael dhe në çështjet e kombeve të botës, pavarësisht se thirrjet e larta dhe të zhurmshme të njerëzve duken sikur e kanë venitur këtë të vërtetë. Në vullnetin e Tij sovran Perëndia ka pasur si qëllim që ne ta lavdërojmë Atë në jetë dhe të dëshmojmë për Të deri në fund të botës.Charles Lee Feinberg

I. Vendi unik në Kanun

Falë vegimeve të famshme frymërore “Ezekieli që sheh rrotën” dhe “Kockat e thara”, Ezekieli njihet si personazh biblik nga miliona njerëz. Fatkeqësisht, niveli i njohjes biblike të librit të tij të vështirë zakonisht nuk thellohet më tepër. Me siguri Ezekieli nuk është libri i parë që të krishterët duhet të lexojnë pas kthimit të tyre, edhe pse të paktën disa personazhe letrare janë rrokur nga Bibla përmes këtij stili të famshëm të këtij profeti.

Gjëja e pazakontë rreth Ezekielit (jo si Jeremia dhe në një shtrirje më të vogël Isaia dhe pjesa më e madhe e Profetëve të Vegjël) është theksimi i tij jo mbi gjykimin, por mbi ngushëllimin e popullit të Perëndisë. Nga Kebar Canali, që mund të ketë qenë një lloj kampi i lashtë përqendrimi afër Babilonisë, Ezekieli shkroi profecitë e tij për t’u dhënë zemër të mërguarve të tij judenj.

II. Autorësia

Ezekieli (Perëndia forcon apo i forcuar nga Perëndia) ishte një ndër ata që u morën në Babiloni me grupin e dytë të robërve, njëmbëdhjetë vjet para se të shkatërrohej Jerusalemi.

Deri në vitin 1920 profecitë e Ezekielit u kishin shpëtuar së tepërmi “gërshërëve” të kritikëve racionalë. Për këtë situatë u ankuan disa liberalë, që iu futën menjëherë punës që të hidhnin teori duke mohuar njësinë, autorësinë e Ezekielit dhe datën tradicionale të të shkruarit.

Në fakt, pozicioni i lashtë dhe universal judeo-kristian se libri është shkruar nga një profet poetik, “prifti Ezekiel, biri i Buzit”, është tepër i mbrojtshëm dhe pikëpamja kritike ka marrë një përgjigje të mirë [1].

Po përmbledhim gjashtë argumentet e Xhon Tejlorit (John B. Taylor) për unitetin e librit të shkruar nga një autor si vijon:

  1. Libri ka vazhdimësi, nga fillimi në fund, duke krijuar një përshtypje të mirë.
  2. Libri ka një mesazh të qenësishëm: rënia e Jerusalemit dhe shkatërrimi i tempullit.
  3. Stili dhe gjuha janë uniforme, përfshirë shprehjet e veçanta, të përsëritura në tërë librin (si për shembull, “biri i njeriut”, fjala e Zotit m’u drejtua”, “ata do të mësojnë që unë jam Zoti” dhe “lavdia e Zotit”).
  4. Ezekieli ka një pjesë të përcaktuar kronologjike të përveçme midis Profetëve të Mëdhenj (shikoni Isaian dhe Jeremian).
  5. Përdorimi i vetës së parë njëjës në tërë librin i jep një skelet të veçantë autobiografik atij. Shkrimtari paraqitet si Ezekieli te Eze. 1:3 dhe Eze. 24:24.
  6. Personaliteti dhe karakteri i Ezekielit janë të vijueshëm në tërë librin. Këta tregohen nga zelli, dashuria e simbolizmit, shqetësimi për hollësitë dhe nga madhështia e lavdisë dhe meritës së jashtëzakonshme të Perëndisë [2].

III. Data

Ezekieli u cakton një datë të saktë profecive të tij. Profecia e tij e parë (Eze. 1:2) ndodhi në vitin e pestë të mërgimit të Jehojakinit (593 para K.); profecia e tij e fundit e datuar ndodhi më 571 para K (Eze. 29:17). Kështu që shërbesa e tij zgjati të paktën njëzet e dy vjet. Nëse e filloi shërbesën e tij si prift kur ishte tridhjetë vjeç, ai do të ketë qenë pesëdhjetë kur mbaroi së profetizuari.

IV. Sfondi dhe temat

Ezekieli u predikoi bashkëkombësve të tij të mërguar menjëherë para dhe gjatë njëzet e ca viteve të para të robërisë. Ata prisnin më kot të ktheheshin në Jerusalem, kështu që ai i mësoi se ata në fillim duhet të ktheheshin te Zoti.

Profecia e Ezekielit ndahet në tri pjesë. E para, ai rrëfen me hollësi mëkatet e Judës dhe paralajmëron gjykimin e pashmangshëm të Perëndisë në robërinë e popullit dhe shkatërrimin e kryeqytetit. Këto shpallen në mënyrë të gjallë në vegime të pazakonta dhe veprime simbolike. Një re e shndritshme dhe vezulluese, simbol i pranisë së Perëndisë, duket se qëndron mbi tempull, më pas largohet papritur. Kjo nënkuptonte se Perëndia nuk mund të banonte më mes popullit të Tij për shkak të mëkatit të tyre dhe shpata e Tij e gjykimit do të zbriste shumë shpejt mbi tempullin e ndotur. Lavdia e Zotit është një ndër mendimet kyçe që haset në tërë Librin e Ezekielit.

Në pjesën e dytë dënohen fqinjët e Judës për shkak të idhujtarisë së tyre dhe sjelljen e tyre mizore ndaj popullit të Perëndisë. Këta janë amonitët, moabitët, edomitët, filistenjtë, tirianët, sidonitët dhe egjiptianët.

Së fundi, në pjesën e fundit, Ezekieli flet për përtëritjen dhe bashkimin e tërë kombit, si të Izraelit ashtu edhe të Judës. Kur populli pendohet për mëkatet e veta, Perëndia do të vërë Frymën e Tij të Shenjtë në ta. Mesia do të shkojë te populli i Tij dhe do të shkatërrojë armiqtë e tij të fundit. Tempulli do të rindërtohet dhe lavdia e Zotit do të kthehet tek ai. Këto profeci nuk janë përmbushur ende, por presin mbretërimin mijëvjeçar të Krishtit në tokë, Mijëvjeçarin.

Ashtu si shumë libra të tjerë profetikë, Ezekieli nuk është i tëri kronologjik, edhe pse është më tepër se Isaia dhe Jeremia. Duhet të vëmë re datat apo periudhat e kohëve që na jepen në fillim të shumë kapitujve. Albert Barnsi (Barnes) i vë profecitë në rendin kronologjik si vijon:

Profecitë ndahen në grupe në data të dhëna në kapitujt e ndryshëm dhe mund të mendojmë se këto profeci, që janë pa data, janë shpallur në të njëjtën kohë si ato me datë, apo, sido që të jetë, ato vijojnë menjëherë pas tyre.

  1. Viti i pestë i robërisë së Jehojakinit. Kapitujt 1-7. Thirrja e Ezekielit dhe parashikimi i rrethimit të ardhshëm të Jerusalemit.
  2. Viti i gjashtë. Kapitujt 8-19. Një hetim i tërë gjendjes së popullit, me parashikime të ndëshkimit të ardhshëm.
  3. Viti i shtatë. Kapitujt 20-23. Qortimet dhe parashikimet e freskëta të rrënimit të ardhshëm.
  4. Viti i nëntë. Kapitulli 24. Viti në të cilin filloi rrethimi. Deklaratat se qyteti do të binte.
  5. I njëjti vit. Kapitulli 25. Profecitë kundër Moabit, Amonit dhe filistenjve.
  6. Viti i njëmbëdhjetë. Kapitujt 26-28. Profecitë kundër Tiros. Në këtë vit Jerusalemi u pushtua pas një rrethimi prej tetëmbëdhjetë muajsh dhe tempulli u shkatërrua.
  7. Viti i dhjetë. Kapitulli 29:1-16. Profecia kundër Egjiptit.
  8. Viti i njëzeteshtatë. Kapitujt 29:17-30:19. Profecia kundër Egjiptit.
  9. Viti i njëmbëdhjetë. Kapitujt 30:20-31:18. Profecia kundër Egjiptit.
  10. Viti i dymbëdhjetë. Kapitulli 32. Profecia kundër Egjiptit.
  11. I njëjti vit. Kapitujt 33,34. Qortimi i krerëve të pabesë.
  12. I njëjti vit apo ndonjë vit midis të dymbëdhjetit dhe të njëzetepestit. Kapitulli 35. Gjykimi i malit Seir.
  13. I njëjti vit. Kapitujt 36-39. Vegimet e ngushëllimit. Rënia e Gogut.
  14. Viti i njëzetepestë. Kapitujt 40-48. Vegimi i tempullit [3].

Për sa i përket aftësisë së Ezekielit për të komunikuar Fjalën e Perëndisë përgjatë shumë kilometrave midis Babilonisë dhe Judesë, Shënimet e përditshme të Scripture Union shkruajnë:

Një ndër problemet e këtij libri është shërbesa e Ezekielit në Jerusalemin e largët, ndërsa vetë ishte një i mërguar në Babiloni. Është hamendësuar se ata që ishin mërguar ishin të lirë të ruanin komunikimet me atdheun; me territorin ndërmjetësues të bashkuar dhe të paqësuar nga Babilonia kjo ishte pa dyshim më e praktikueshme sesa në kohët e hershme. Ishte më e thjeshtë për një lajmëtar të përshkruante me fjalët e tij veprën simbolike të Ezekielit, sesa të çonte një mesazh gojor që mund të humbiste në kujtesën e tij, apo një mesazh të shkruar që mund të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve babilonase.

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. THIRRJA DHE DETYRA E EZEKIELIT (1:1-3:21)
A. Rrethanat e Ezekielit (1:1-3)
B. Vegimi i Ezekielit i kalërimit të lavdishëm të Perëndisë mbi një qerre në formë froni (1:4-28a)
C. Caktimi i Ezekielit për t’i profetizuar popullit të Izraelit (1:28b-3:21)
1. Karakteri i popullit: rebel (1:28b-2:7)
2. Natyra e mesazhit: gjykimi, ashtu siç tregohet nga pergamena (2:8-3:3)
3. Karakteri i popullit: i pamatur dhe zemërgur (3:4-11)
4. Roli i profetit: roje (3:12-21)
II. PËRSHKRIMI I GJYKIMIT TË JUDËS DHE JERUSALEMIT (3:22-24:27)
A. Gjykimi i ardhshëm i ilustruar me anë të mjeteve pamore (3:22-5:17)
1. Ezekieli i urdhëruar që të kërkojë të qëndronte i heshtur, derisa t’i thuhej nga Perëndia që të fliste (3:22-27)
2. Rrethimi i Jerusalemit paraqitur me një tjegull (kapitulli 4)
3. Fati i popullit parashikuar nga përdorimi i një shpate të mprehtë dhe flokut (kapitulli 5)
B. Shkatërrimi i idhujtarisë dhe ruajtja e pjesës së mbetur të popullit (kapitulli 6)
C. Madhështia dhe ashpërsia e pushtimit babilonas (kapitulli 7)
Ç. Vegimi i idhujtarisë së madhe në tempull (kapitulli 8)
D. Largimi i pranisë së Perëndisë dhe shkatërrimi i mëpasshëm i idhujtarëve (kapitulli 9)
Dh. Vegimi i lavdisë së Perëndisë mbi Jerusalem me gjykim (kapitulli 10)
E. Mohimi i këshillës së princërve të ligj (11:1-13)
Ë. Premtimi për ruajtje të pjesës së mbetur (11:14-21)
F. Largimi i resë së lavdisë nga Mali i Ullinjve (11:22-25)
G. Shenjat e Ezekielit për mërgimin e ardhshëm (kapitulli 12)
1. Pajimet e tij (12:1-16)
2. Dridhjet e tij (12:17-28)
Gj. Rrënimi i profetëve dhe i profeteshave të rreme (kapitulli 13)
H. Kërcënimi i Perëndisë drejtuar pleqve idhujtarë (kapitulli 14)
I. Shëmbëlltyra e hardhisë së pafrytshme (kapitulli 15)
J. Shëmbëlltyra e martesës së Jerusalemit (kapitulli 16)
K. Shëmbëlltyra e dy shqiponjave (kapitulli 17)
L. Hedhja poshtë e shëmbëlltyrës së rrushit të papjekur (kapitulli 18)
Ll. Vajtimi i mbretërve të fundit të Judës (kapitulli 19)
M. Hakmarrja e marrëveshjeve të Perëndisë me Izraelin (20:1-32)
1. Idhujtaria në Egjipt (20:1-9)
2. Ndotja e të shtunave të Perëndisë (20:10-17)
3. Rebelimi në shkretëtirë (20:18-26)
4. Idhujtaria (20:27-32)
N. Premtimi i Perëndisë për një përtëritje të mundshme (20:33-44)
Nj. Simbolet e pushtimit të menjëhershëm (21:1-37)
1. Shenja e zjarrit të pyllit (21:1-5)
2. Shenja e shpatës së tendosur (21:6-22)
3. Shenja e furkës në rrugë (21:23-37)
O. Tre orakujt për ndotjen e Jerusalemit (kapitulli 22)
P. Shëmbëlltyra e dy motrave prostituta (kapitulli 23)
1. Oholahu (23:1-10)
2. Oholibahu (23:11-21)
3. Pushtimi i babilonasve (23:22-35)
4. Gjykimi i Oholahut dhe Oholibahut (23:36-49)
R. Shëmbëlltyra e tenxheres (24:1-14)
Rr. Shenja e vdekjes së gruas së Ezekielit (24:15-27)
III. PROFECITË KUNDËR SHTATË KOMBEVE PAGANE (kapitujt 25-32)
A. Profecia kundër Amonit (25:1-7)
B. Profecia kundër Moabit (25:8-11)
C. Profecia kundër Edomit (25:12-14)
D. Profecia kundër Filistisë (25:15-17)
E. Profecia kundër Tiros (26:1-28:19)
1. Shkatërrimi i Tiros (kapitulli 26)
2. Vaji për Tiron (kapitulli 27)
3. Rënia e princit të Tiros (28:1-19)
F. Profecia kundër Sidonit (28:20-26)
G. Profecia kundër Egjiptit (kapitujt 29-32)
1. Kërcënimi i përgjithshëm kundër faraonit dhe popullit të tij (kapitulli 29)
2. Vajtimi për rënien e Egjiptit (30:1-19)
3. Rënia e faraonit (30:20-31:18)
4. Vajtimi për faraonin dhe Egjiptin (kapitulli 32)
IV. PËRTËRITJA E IZRAELIT DHE NDËSHKIMI I ARMIQVE TË TIJ (kapitujt 33-39)
A. Caktimi përsëri i profetit si roje (kapitulli 33)
B. Barinjtë e rremë dhe Bariu i Mirë (kapitulli 34)
C. Rrënimi i Edomit (kapitulli 35)
D. Përtëritja e vendit dhe e popullit (kapitulli 36)
E. Vegimi i luginës së kockave të thara (37:1-14)
F. Bashkimi i Izraelit dhe Judës (37:15-28)
G. Shkatërrimi i armiqve të ardhshëm të Izraelit (kapitujt 38, 39)
V. SKENAT E MIJËVJEÇARIT (kapitujt 40-48)
A. Tempulli i Mijëvjeçarit në Jerusalem (kapitujt 40-42)
1. Njeriu me shkopin e matjes (40:1-4)
2. Porta lindore e oborrit të jashtëm (40:5-16)
3. Oborri i jashtëm (40:17-19)
4. Dy portat e tjera të oborrit të jashtëm (40:20-27)
5. Tri portat e oborrit të brendshëm (40:28-37)
6. Pajisjet për flijimin (40:38-43)
7. Dhomat për priftërinjtë (40:44-47)
8. Paradhoma e tempullit (40:48,49)
9. Shenjtërorja dhe Vendi Shumë i Shenjtë (41:1-4)
10. Dhomat anësore (41:5-11)
11. Ndërtesa në perëndim të tempullit (41:12)
12. Përmasat e tempullit (41:13-15a)
13. Zbukurimi i brendshëm dhe pajisja e tempullit (41:15b-26)
14. Dhomat e priftërinjve (42:1-14)
15. Përmasat e oborrit të jashtëm (42:15-20)
B. Adhurimi i Mijëvjeçarit (kapitujt 43, 44)
C. Administrimi i Mijëvjeçarit (kapitujt 45, 46)
D. Vendi i Mijëvjeçarit (kapitujt 47, 48)
1. Shërimi i ujërave (47:1-12)
2. Kufijtë e vendit (47:13-23)
3. Ndarja e vendit (kapitulli 48)






Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1.  Për shembull, nga Gleason Archer, tek A Survey of Old Testament Introduction, “Ezekiel”. ↵ Kthehu mbrapa
  2.  John B. Taylor, Ezekiel: An Introduction and Commentary, Tyndale Old Testament Commentaries, f. 14-16. ↵ Kthehu mbrapa
  3.  Albert Barnes, The Bible Commentary, Proverbs – Ezekiel, f. 302. ↵ Kthehu mbrapa