29 mars

[no_toc]

29 mars | çdo ditë me radhë

«Asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punët e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar» (2 Tim. 2:4).

I krishteri është punësuar nga Zoti dhe është në shërbim aktiv për Të. Ai nuk duhet të ngatërrohet në punët e jetës së përditshme. Theksi këtu është mbi fjalën «ngatërrohet». A nuk mund ta shkëputë veten krejtësisht nga punët në këtë botë. Ai duhet të punojë që të sigurojë nevojat e jetës për familjen e tij. Ekziston një nivel përfshirjeje në interesat e përditshme që është i pashmangshëm. Përndryshe atij i duhet të dalë nga bota, siç na kujton Pali në 1 e Korintasve 5:10.

Por ai nuk duhet t’ia lejojë vetes që të ngatërrohet. Ai duhet t’i mbajë prioritetet në vijë të drejtë. Madje edhe gjërat që janë të mira në vetvete mund të bëhen ndonjëherë armiqtë e më së mirës.

Wm. Kelli thotë se «të ngatërrohesh në punët e jetës do të thotë të heqësh dorë nga ndarja prej botës duke e zënë vendin në punët e jashtme si një partner “bona fide” në të».

Unë jam ngatërruar kur jam përfshirë në politikën e botës si një mjet për të zgjidhur problemet e njeriut. Kjo do të ishte si të harxhoja kohën time «duke rregulluar përsëri karriget mbi kuvertën e Titanikut».

Ose unë jam ngatërruar kur vendos më shumë theks mbi shërbimet sociale, sesa mbi Ungjillin si një panakea [ilaç çudibërës] për të këqijat e botës.

Unë jam ngatërruar kur biznesi më mbërthen kaq shumë, që përpjekjet e mia më të mira përdoren për fitimin e parave. Dhe duke fituar kështu një jetesë, unë humbas një jetë.

Unë jam ngatërruar kur mbretëria e Perëndisë dhe drejtësia e tij nuk kanë më vendin e parë në jetën time.

Unë jam ngatërruar kur jam mbërthyer nga ato gjëra që janë tepër të vogla për një fëmijë të përjetësisë – si mungesa e mineraleve te domatja, zakonet verore të antilopës Uoming, përqindja e mikrobeve në fanellat e pambukta, reaksioni i kafenjtë te patatet ose lëvizjet post-rrotulluese të syrit të pëllumbit. Këto studime mund të jenë shumë në rregull si një mjet jetese, por ato nuk janë të denja për pasionin e një jete.

[previous][next]