29 tetor
«Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë» (1 Gjonit 3:17).Midis qarqeve mjekësore do të ishte e papërfytyrueshme që të kesh një kurë për kancerin dhe të mos e ndash atë me pacientët me kancer kudo në botë. Fshehja e kurës do të përbënte një mungesë të pashpirt dhe të panjerëzishme dhembshurie.
Apostulli Gjon portretizon një pikturë paralele në fushën frymërore. Ja ku kemi dikë, dikë që thotë se është besimtar, i cili ka akumuluar një sasi të drejtë pasurie. Ai jeton në luks, rehati dhe lehtësi. Kudo rreth tij gjendet një botë në nevojë të madhe frymërore dhe fizike. Miliona njerëz kudo në botë nuk e kanë dëgjuar kurrë Ungjillin. Ata jetojnë në errësirë, me besëtytni dhe pa shpresë. Shumë prej tyre vuajnë nga rrënimet e zisë, të luftës dhe fatkeqësive natyrore. Njeriu i pasur nuk i vë re të gjitha këto nevoja të mëdha. Ai është në gjendje të largojë ofshamat rënkuese dhe me ngashërim që kanë pllakosur njerëzimin. Ai mund t’i kishte ndihmuar po të donte, por ai parapëlqen ta mbajë paranë e vet.
Pikërisht në këtë moment Gjoni lëshon bombën. Ai pyet: «Si qëndron në të dashuria e Perëndisë?» Sigurisht që kjo pyetje nënkupton që dashuria e Perëndisë nuk qëndron në të. Dhe nëse dashuria e Perëndisë nuk qëndron në të, ka arsye të vlefshme për të dyshuar që ai është një besimtar i vërtetë.
Kjo është shumë serioze. Sot kisha e ngre lart njeriun që ka pasuri, e cakton atë në bordin e pleqve dhe nxit vëmendjen e vizitorëve. Ndjenja mbizotëruese është: «Është bukur të shohësh të krishterë të pasur». Por Gjoni ngre pyetjen: «Nëse ai është një i krishterë i vërtetë, si mund ta mbajë gjithë atë pasuri tepricë kur kaq shumë njerëz po vdesin nga uria?»
Më duket se ky varg na detyron të arrijmë në dy rrjedha veprimi. Nga njëra anë mund ta hedhim poshtë kuptimin e qartë të fjalëve të Gjonit, të mbytim zërin e ndërgjegjes dhe të dënojmë atë njeri që guxon të predikojë një mesazh të tillë. Ose ne mund ta pranojmë fjalën me butësi, ta përdorim pasurinë tonë për të plotësuar nevojat e vëllait dhe të kemi një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve. Ai besimtar që kënaqet me një standard modest jetese me qëllim që çdo gjë mbi këtë standard t’i shkojë veprës së Zotit, mund të jetojë në paqe me Perëndinë dhe me vëllezërit e tij nevojtarë.