3 prill

[no_toc]

3 prill | çdo ditë me radhë

«…ashtu si mendon (një njeri) në zemër të tij, ashtu është ai» (Fjalet e Urta 23:7).

A. P. Gibbs e kishte zakon të thoshte: «Ju nuk jeni ai që mendoni se jeni, por ajo që mendoni – kjo është ajo që jeni». Kjo do të thotë se mendja është burimi nga ku rrjedh sjellja. Ji në kontroll të burimit dhe do të kontrollosh rrëkenë që rrjedh prej tij.

Prandaj kontrolli i jetës së mendimeve është themelor. Ja përse tha Salomoni: «Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës» (Fjalet e Urta 4:23). Këtu zemra është përdorur si një sinonim për mendjen.

Jakobi na kujton se mëkati fillon në mendje (Jakobit 1:13-15). Nëse mendojmë mbi një gjë për një kohë mjaft të gjatë, ne do ta bëjmë atë gjë përfundimisht.

Mbill një mendim dhe korr një veprim.
Mbill një veprim dhe korr një zakon.
Mbill një zakon dhe korr një karakter.
Mbill një karakter dhe korr një të ardhme.

Zoti Jezus e theksoi rëndësinë e jetës së mendimeve duke e barazuar urrejtjen me vrasje (Mt. 5:21, 22) dhe duke e barazuar vështrimin epshor me kurorëshkeljen (Mt. 5:28). Ai mësoi gjithashtu se njeriun nuk e ndot ajo që ha, por ajo që njeriu mendon (Marku 7:14-23).

Ne jemi përgjegjës për atë që mendojmë, sepse kemi fuqinë për ta kontrolluar të. Ne mund të mendojmë për gjëra të fëlliqura, sugjestive ose mund të mendojmë për atë që është e pastër dhe sipas ngjashmërisë së Krishtit. Secili prej nesh është si një mbret. Perandoria mbi të cilën sundojmë është jeta e mendimeve tona. Kjo perandori ka një potencial të pamasë për të mirën dhe një potencial shumë të madh për të keqen. Ne jemi ata që vendosin se cila do të jetë.

Ja disa sugjerime pozitive se çfarë mund të bëjmë. Së pari, çoje të gjithë këtë çështje para Zotit në lutje, duke thënë: «O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur» (Psa. 51:10). Së dyti, gjykoje çdo mendim sipas mënyrës se si duket në praninë e Krishtit (2 e Korintasve 10:5). Së treti, rrëfeje menjëherë çdo mendim të lig dhe dëboje atë (Fjalet e Urta 28:13). Më pas, shmang gjendjen që të kesh një mendje të zbrazët, bosh. Mbushe atë me mendime të denja, pozitive (Filipianeve 4:8). Së pesti, ushtro disiplinë mbi atë që lexon, shikon ose dëgjon. Ju nuk mund të prisni që të keni një jetë të pastër të mendimeve nëse ushqeheni mbi atë që është e ndyrë dhe e ndotur. Së fundi, ji i zënë për Zotin. Pikërisht kur ju e vendosni mendjen në gjendje neutrale ndodh që fantazitë e turpshme kërkojnë që të hyjnë.