30 korrik

[no_toc]

30 korrik

«E njëjtë ka për të qenë pjesa e atij që shkon për të luftuar dhe e atij që rri pranë plaçkave; do t’i ndajmë pjesët bashkë» (1 Sam. 30:24).

Kur Davidi rimori qytetin e Ziklagut nga amalekitët, disa nga njerëzit e tij nuk donin që ta ndanin plaçkën me 200 të tjerët që kishin qëndruar mbrapa në përruan Besor. Davidi vendosi se ata që kishin qëndruar pranë rezervave të ushqimit do të ndanin barabar me ata që kishin shkuar në luftë.

Për çdo ushtar që angazhohet në luftim, ka disa të tjerë që punojnë mbrapa vijave. Në ushtrinë e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, vetëm 30% e trupave ishin në njësitë luftuese. Të tjerët ishin personel ndihmues, duke shërbyer në njësi të tilla si inxhinierë, intendentë, artileri, komunikim, [industri] kimike, transport dhe qeverisje ushtarake.

Ka një paralelizëm të kësaj situate në veprën e Zotit. Edhe pse të gjithë të krishterët janë ushtarë, jo të gjithë janë në vijën e parë të luftimit. Jo të gjithë janë predikues ose ungjilltarë ose mësues ose barinj. Jo të gjithë janë misionarë që shërbejnë në frontet e betejës përreth botës.

Edhe Perëndia ka personel ndihmues në ushtrinë e Tij. Janë luftëtarët besnik të lutjes që mundohen çdo ditë, derisa të jetë kthyer dallga e betejës. Janë administratorët e Tij të përkushtuar që jetojnë me sakrifica, me qëllim që të dërgohen më shumë para në front. Janë ata që sigurojnë ushqim dhe strehim për ata që janë në një konflikt ballë për ballë me armikun. Më pas mendo për ata që shkruajnë dorëshkrime që një ditë do ta dërgojnë mesazhin në vende të largëta. Mendo për ata që redaktojnë, që përkthejnë dhe që botojnë literaturë të krishterë. Mendo për gratë e shkëlqyera të cilat shërbejnë në shtëpi, duke rritur bij dhe bija për shërbimin e Mbretit. Për secilin që gjendet në mes të betejës, ka disa të tjerë që shërbejnë si personel ndihmues.

Kur të kalohen shpërblimet, ata që kishin role ndihmëse do të ndajnë barabar me ata që do të brohoriten si heronj. Ata që shërbyen qetësisht mbrapa vijave do të ndajnë ndere të barabarta me personalitetet ungjillore.

Perëndia është në gjendje ta ujdis këtë punë. Ai mund të vlerësojë me saktësi rëndësinë e kontributit të gjithsecilit. Do të ketë shumë surpriza. Njerëz të pavënëre të cilët i kemi konsideruar si tepër të parëndësishëm do t’i shohim të zënë pozita të rëndësishme. Pa ata edhe ne vetë do të kishim qenë të pafuqi.

[previous][next]