A. Fjalët e burrave të mençur (22:17-24:22)
22:17 Vargjet 17-21 përbëjnë një pjesë që ndërfut fjalë të urta nga 22:22 deri te 24:22. Këto e ftojnë lexuesin t’u vërë veshin dhe të dëgjojë fjalët e të urtëve. Mbase Salomoni i mblodhi disa nga këto fjalë të urta prej të tjerëve, por pjesa e dytë e vargut tregon se disa prej tyre janë të tijat. 22:18 Një njeri duhet t’i ruajë këto fjalë të urta në mendjen e tij (për t’i kujtuar dhe për t’u bindur) dhe t’i ketë të gjitha gati mbi buzët e tij (që t’ua përcjellë të tjerëve). 22:19 Arsyeja pse Salomoni i bëri të ditura fjalët e urta qe që lexuesit ta kishin me të vërtetë besimin… te Zoti. 22:20 Në versionin RSV ky varg është si më poshtë: “A nuk të kam shkruar tridhjetë thënie qortimi dhe njohjeje?”. Disa studiues tregojnë se fjalët e urta që vijojnë (deri te 24:22) mund të ndahen në rreth 30 grupime, si vijon: 22:22,23 23:22-25 24,25 26-28 26,27 29-35 28 24:1,2 29 3,4 23:1-3 5,6 23:4,5 7 6-8 8,9 9 10 10,11 24:11,12 12 13,14 13,14 15,16 23:15,16 17,18 17,18 19,20 19-21 21,22 Bibla Berklij (Berkeley) shkruan: “A nuk të kam shkruar më përpara gjëra që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë . . . ?ཁ. Fjalët ཁmë përparaཁ është në kundërshtim me ཁsotཁ në vargun 19. 22:21 Shkrimtari kishte si qëllim të folurën me fjalë të vërteta në mënyrë që nxënësit e tij të ishin të aftë të mësonin të tjerët, apo në mënyrë që ata të ishin të aftë të kënaqnin ata që i dërgonin për mësim. 22:22,23 Kjo fillon pjesën që mbyllet te 24:22. Askush nuk duhet të përfitojë nga i varfri që është pa mbrojtje. Asnjë gjithashtu nuk duhet të bëjë padrejtësi ndaj të mjerit te porta, që do të thotë, në vendin e gjykimit. Sepse Perëndia mbron çështjen e të varfrit dhe Ai do të ndëshkojë shtypësin e pasur dhe gjykatësin e padrejtë. 22:24,25 Shoqërimi me njeriun zemërak dhe gjaknxehtë është diçka e keqe. Zakonisht një njeri bëhet si ata me të cilët shoqërohet. Ky mund të jetë me të vërtetë një kurth, sepse në një çast pasioni, një njeri mund të shkatërrojë jetën dhe dëshminë e tij. 22:26,27 Dhënia e dorës si garanci këtu nënkupton të bëhesh garant për borxhin e dikujt. Nëse nuk ke të paguash tërë borxhin, pse të rrezikosh që të të merren pajisjet shtëpiake dhe kjo të të çojë në gjendje të parehatshme dhe turp? 22:28 Kufiri i vjetër ishte një seri gurësh që tregonin kufijtë e pronës së dikujt. Njerëzit e pandershëm zakonisht i lëviznin ata gjatë natës për të rritur përmasat e tokës së tyre në kurriz të komshinjve. Nga ana frymërore kufiri i vjetër mund të jetë “besimi, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë” (Juda 3). Doktrinat themelore të krishtere nuk duhet të shtrembërohen. 22:29 Një njeri i papërtueshëm në punën e tij do të lartësohet në një pozitë të ndershme. Ai nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur. Ne e shohim këtë parim në jetët e Moisiut, Danielit dhe Nehemias. 23:1-3 Këtu paralajmërohemi kundër grykësisë dhe velitjes. Kur ulemi të hamë me një njeri të rëndësishëm, ne duhet të shohim atë që apo kë (JND) kemi përpara. Pastaj duhet të vëmë një thikë në grykën tonë, pra, të ushtrojmë frenimin në të ngrënë dhe të pirë. Vargu 3 hedh idenë se dikush mund të na shfrytëzojë për keq duke na pritur me ushqim. Nuk është rasti i një mikpritjeje joegoiste, por një mjet për të na përdorur për ndonjë arsye dinake. 23:4,5 Beteja e pareshtur për t’u pasuruar është një formë “diturie” që duhet shmangur. Do të thotë se ju po harxhoni jetën tuaj duke ndjekur vlera të rreme dhe po vendosni besimin tuaj në diçka që nuk zgjat. Pasuritë kanë një mënyrë për të lëshuar fletë dhe fluturojnë si një shqiponjë. 23:6-8 Një situatë tjetër shoqërore për t’u shmangur! Mos ji mysafiri i një njeriu që ka një sy të keq, një koprrac që ka zili çdo kafshatë ushqimi që ha. Vlen ajo që mendon dhe jo ajo që ha. Ndërsa po thotë: “Merr çfarë të duash… Merr edhe ca! Ha dhe pi!“, ai po numëron çdo kafshatë që merr. Versioni LB i parafrazon këto vargje si vijon: Mos u shoqëro me njerëzit e ligj; mos dëshiro favorin dhe dhuratat e tyre. Mirësia e tyre është një kurth; ata duan t’ju përdorin si karremin e tyre. Ushqimi i shijshëm që ata të servirin do të bëhet i athët në stomakun tënd dhe ti do të vjellësh, dhe duhet të kthesh mbrapsht fjalët e tua të vlerësimit për ‘mirësinë’ e tyre. 23:9 Mos u përpiq të mësosh një budalla kokëtrashë dhe të marrë. Po harxhon më kot kohën me të. Ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate. 23:10,11 Mos merr me padrejtësi pronën e dikujt tjetër duke lëvizur fshehtas kufijtë e vjetër të gurëve. Mos përfito në kurriz të të pambrojturve duke zaptuar fushat e tyre. Sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm. Do të të duhet të merresh me Të! Ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje. 23:12 Nuk ka mënyrë të thjeshtë për të fituar mësim. Kjo gjë kërkon disiplinë dhe zbatim. Mos ia vër veshin njoftimeve që premtojnë “tri mësime të lehta”. 23:13,14 Nuk është mirë për një fëmijë që ta lejosh të bëjë të keqen. Bibla nuk e anashkalon tolerancën e tepruar, por më tepër nxit korrigjimin me thupër dhe premton se fëmija nuk do të vdesë. Kjo mund të nënkuptojë se e rrahura nuk do ta vrasë atë, ose që e rrahura do ta shpëtojë atë nga vdekja e parakohshme dhe e nxituar. Kështu do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli. Në vend që t’i disiplinonte bijtë e tij të ligj, Eli i qortonte ata me butësi: “Pse bëni gjëra të tilla?” (1 Sam. 2:22-25). Ai tregoi tolerancë të tepruar, gjë që i solli shkatërrim shtëpisë së tij dhe kombit gjithashtu. Davidi dështoi në fushën e disiplinës prindërore gjithashtu. Ai kurrë nuk ia prishi qejfin (nuk e mërziti Adonijahun] Adonijahut duke e qortuar (1 i Mbreterve 1:6). Pasi bëri dy përpjekje tradhtie, Adonijahu u vra nga Salomoni. 23:15,16 Një baba gëzohet kur biri i tij ka një zemër që është e urtë dhe ka buzë që thonë të vërtetën. Mësuesi përjeton të njëjtin gëzim kur nxënësit e tij marrin dituri dhe e ndajnë atë me të tjerët. Në të njëjtin kuptim Pali tha: “Sepse tani rrojmë me të vërtetë, në qoftë se ju qëndroni të patundur në Zotin” (1 Thes. 3:8). Dhe Gjoni tha: “Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën” (3 Gjon. 4). 23:17,18 Ka diçka më të mirë sesa të kesh zili begatinë e të ligut; kjo është të jetosh në përbashkësi të vazhdueshme me Zotin. Marrëdhënia me të ligun sjell zemërlëshim; marrëdhënia me Zotin sjell gëzim. Kështu mësimi është që ta bëjmë përbashkësinë me Perëndinë qëllimin e jetës sonë. Gjithashtu, të kujtosh se ka një ditë të ardhshme dhënieje llogarie për të ligun dhe një shpresë të ndritur shpërblimi për të drejtin që kurrë nuk do të zhgënjehet. E tashmja shikon matanë vdekjes dhe ringjalljes drejt një të ardhmeje të lavdishme në qiell. 23:19 Çfarëdo lloj gjëje të bëjnë të tjerët, një bir i bindur duhet t’i vërë veshin mësimit, të jetë i urtë, dhe ta drejtojë zemrën e tij në rrugën e drejtë, që është rruga e Perëndisë. 23:20,21 Ka dy lloj “pijanecësh” – ata që pijnë shumë dhe ata që hanë shumë. Që të dy janë shoqëri e keqe për dikë që pëlqen jetën e mirë. Tepria merr atë që i takon. Pijaneci dhe grykësi do të varfërohen. Habia që rrjedh nga tepria do të veshë një njeri me rrecka. 23:22 Të rinjtë duhet të marrin këshilla nga etërit e tyre dhe të mos sillen me nënat e tyre me përçmim. Pleqtë kanë vite përvoje mbi shpatulla. Të rinjtë duhet ta pranojnë këtë dhe të përpiqen të përfitojnë sa më tepër që të jetë e mundur nga përvoja e tyre. 23:23 Ne duhet të jemi të gatshëm që të japim një çmim të madh për të vërtetën, por të mos jemi të gatshëm ta shesim atë për asnjë arsye. E njëjta gjë vlen edhe për diturinë, njohurinë dhe gjykimin. Nuk duhet të kursejmë asgjë për t’i pasur, por të mos i dorëzojmë kurrë për asnjë në këtë botë. 23:24,25 Zakoni modern thotë: “Jepi babait një kollare për Festën e Babait dhe jepi nënës një kuti me çokollata në Festës e Nënës”. Por më shpërblyese për prindërit është një bir që jeton me mençuri dhe me kujdes. Kështu kemi nxitjen: “Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur“. 23:26-28 Kërkesa serioze: “Biri im, më jep zemrën tënde…” ndërfut paralajmërimet solemne kundër imoralitetit dhe dehjes. Shkrimtari po thotë: “Më dëgjo me kujdes dhe vëzhgo këshillën që po të jap”. Prostituta është si një gropë e thellë dhe e fshehur, që formon një kurth për të shkujdesurit. Ajo është një pus i ngushtë – mund të biesh lehtë, por është e vështirë për të dalë. Ajo rri në pritë si një grabitës. Ajo mund të ketë një urrejtje patologjike për njerëzit dhe shfryn hakmarrjen e saj mbi ta duke i futur në lak përmes mashtrimit, ashtu siç kapet peshku me karrem. Përditë ajo shton listën e burrave të pabesë, martesat dhe familjet e të cilëve janë prishur. 23:29,30 Pjesa tjetër e kapitullit 23 është një përshkrim klasik i të pirit. Ai merr të gjitha ah-ët mbi vete dhe kalon nga një obobo te tjetra. Jeta e tij dallohet nga grindjet, meqë gjithmonë përpiqet të nisë një betejë. Ai qahet dhe grindet pa pushuar, por kurrë nuk shikon brenda tij se ai është shkaku i këtyre shqetësimeve të tij! Ai ka të çarat, plagët, syrin e nxirë – të gjitha nga luftimet që ishin të panevojshme. Sytë e tij janë të mjegullt dhe të përgjakur. Ai ulet në tavernë tërë natën, duke pirë pije të droguara njëra pas tjetrës. 23:31,32 Ai paralajmërohet kundër tërheqjes nga vera kur kuqëlon, nga vezullimi i shkëlqyer, nga mënyra se si shkon poshtë aq lehtë. Por ai nuk dëgjon dhe kështu ai vuan pasojat që janë si pickimi i një gjarpri apo thumbi i një kuçedre – helmues dhe i dhimbshëm. 23:33,34 Sytë e tij kanë për të parë gjëra të çuditshme, një referim i mundshëm për tmerret e shqetësimeve të dhunshme mendore shkaktuar nga përdorimi i tepruar dhe i zgjatur i pijeve alkoolike. Bashkëbisedimi i tij është i trashë, i shtrembër dhe i turpshëm. Ai lëkundet lart e poshtë në mënyrë të paqëndrueshme, sikur të pluskonte para e mbrapa në mes të detit, apo të zërë vend lart në majë të direkut të anijes ndërsa tundet marrëzisht nga njëra anë në tjetrën. 23:35 Dikush e ka rrahur keq atë, por kur ai vjen në vete, thotë se nuk i kanë bërë keq. Ata e shqepën në dru, por ai nuk e ka vënë re. Sapo të zgjohet, ai do të planifikojë të kthehet në bar për të kërkuar përsëri që të pijë. 24:1,2 Nuk është gjë e mençur të kesh zili suksesin e njerëzve të këqij, apo të dëshirosh shoqërinë e tyre. Ata kanë një mënyrë për t’i rrëzuar të tjerët në nivelin e tyre. Dhe cili është ky nivel? Mendjet e tyre gjithmonë planifikojnë dhunën dhe bisedat e tyre përqendrohen për të bërë të keqen. 24:3,4 Shtëpia këtu mund t’i referohet jetës së një njeriu. Një jetë e madhe nuk ndërtohet me anë të ligësisë, por me anë të diturisë së perëndishme. Ligësia prish një jetë, por maturia i jep qëndrueshmëri. Ligësia e lë të zbrazur; dija e vërtetë e plotëson me pajisje të çmueshme dhe të pëlqyeshme. 24:5,6 Njeriu i urtë mund të përdorë fuqi më të madhe sesa një njeri i fortë, dhe një njeri me tru është më i madh se një njeri me muskuj. Lufta mund të fitohet përmes këshilltarëve të urtë dhe sa më tepër këshilltarë të urtë të ketë, aq më mirë është. 24:7 Dituria duket se do të jetë gjithmonë përtej aftësive për të kuptuar të budallait. Ai as nuk mund të flasë me autoritet, siç bëjnë pleqtë te porta e qytetit. 24:8,9 Ai që përdor aftësinë që Perëndia ia ka dhënë për të shpikur forma të reja të së keqes fiton titullin “mjeshtër intrigash“. Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi arrogant që është i turpshëm në ligësinë e tij fiton përçmimin e të tjerëve. 24:10 Një provë se sa vlen një njeri është se si sillet në vështirësi. Nëse heq dorë kur gjërat shkojnë keq, ai nuk ka atë që duhet. Krisht, nëse hapat e mia do të çapiten ndonjëherë, dhe të jenë gati për prapësim; nëse shkretëtira dhe gjembat shkaktojnë vajtim, o Zot, më trego këmbët e Tua! Këmbët e tua të gjakosura, këmbët e Tua të shpuara nga gozhdët, Jezusi im, më trego këmbët e Tua. O Perëndi, a mund të guxoj të të tregoj duart dhe këmbët e mia? – Amy Carmichael 24:11,12 Kur njerëzit e pafajshëm çohen në dhomat me gaz, furrat dhe metoda të tjera ekzekutimi – kur fëmijët e palindur shkatërrohen nëpër klinikat e abortit – është e pajustifikueshme që të rrimë duarkryq dhe të mos përpiqemi t’i shpëtojmë. Është gjithashtu e padobishme të lusim padituri. Ashtu si Dantja ka thënë: “Vendet më të nxehta në ferr janë ruajtur për ata që në kohë krizash të mëdha morale kanë ruajtur asnjanësinë e tyre”. A është kjo një thirrje për ne që jemi besimtarë dhe që na është besuar lajmi i mirë i shpëtimit? Burrat dhe gratë po vdesin pa Krishtin. Jezusi ka thënë: “Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen” (Gjon. 4:35). A do të guxojmë të mbetemi asnjanës? Shiko shtrirjen e hijeve përreth nesh, së shpejti dita do të agojë; a do t’i lësh ata të humbur dhe të vetmuar? Krishti po vjen – thirri dhe ata! – Anna Shipton 24:13,14 Mjalti përdoret këtu si simbol i diturisë. Që të dy janë të dobishëm dhe të ëmbël për shijen. Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet. Me fjalë të tjera, njeriu që gjen diturinë sigurohet për një të ardhme të ndritur dhe për realizimin e tërë shpresave të tij. 24:15,16 Një njeri i paskrupullt paralajmërohet që të mos përpiqet të shpronësojë njeriun e drejtë nga shtëpia e tij. Mbase ky i fundit mund të ketë kaluar një kohë të vështirë dhe njeriu i lig është gati të sulet fluturimthi në pronën e tij. I drejti mund të bjerë në probleme apo fatkeqësi shtatë herë, por ai do të përtërihet gjithmonë. Të pabesët mund të shkatërrohen në një fatkeqësi të vetme. 24:17,18 Një njeri me një karakter të mirë nuk gëzohet kur problemet zënë kundërshtarin e tij, apo nuk lumturohet kur e sheh atë të pengohet. Nëse Zoti shikon dikë të shfaqë një frymë që kënaqet fshehurazi dhe hakmarrëse, Ai do ta shohë atë frymë më të dënueshme sesa faji i armikut. 24:19,20 Përsëri paralajmërohemi të mos zemërohemi me suksesin e dukshëm të atyre që bëjnë të keqen dhe të mos kemi smirë të pabesët. Këtë herë arsyeja e dhënë është që e ardhmja e të paperëndishmëve është shumë e keqe. Ata nuk kanë për të pritur asgjë të mirë. Në vend të kësaj drita e jetës së tyre do të shuhet. 24:21,22 Kjo fjalë e urtë ngulit nderimin dhe respektin për Zotin dhe gjithashtu për mbretin si përfaqësuesin e Tij. Gjithashtu na paralajmëron kundër atyre që duan të ndryshojnë pushtetin hyjnor apo të hedhin poshtë qeverisjet njerëzore. Të dy llojet e rebelimit do të sjellin mjerim të menjëhershëm dhe të paimagjinueshëm për fajtorët. I krishteri mësohet t’i bindet qeverisë njerëzore, derisa të mos mund të komprometojë besnikërinë e tij ndaj Zotit. Nëse një qeveri e urdhëron atë të mos i bindet Zotit, atëherë ai duhet të kundërshtojë dhe me përulje të durojë pasojat. Nën asnjë rrethanë nuk duhet të bashkohet me të tjerët për të bërë komplot për të rrëzuar qeverinë.B. Thënie të tjera të burrave të mençur (24:23-34)
24:23-26 Këtu fillon një ndarje e re e thënieve që janë për të urtët, që shtrihet deri te vargu 34. Është një gjë e përbuzshme të kesh preferenca personale kur gjykohen çështjet e drejta dhe të gabuara. Gjykatësi që bën dallime morale duke e lënë të lirë fajtorin do të mallkohet nga njerëzit dhe do të urrehet nga kombet. Nga ana tjetër, ata gjykatës që e qortojnë mëkatin do të shpërblehen nga Perëndia dhe do të bekohen nga njerëzit. Ata që japin vendime të ndershme dhe të drejta do të fitojnë puthjen e miratimit nga njerëzit. 24:27 Ashtu si një njeri duhet të pastrojë pemët dhe të kultivojë tokën para ndërtimit të një shtëpie, po kështu ai duhet të rregullojë jetën e tij para se të ndërtojë një familje. Prandaj, fjala e urtë mund të jetë një paralajmërim kundër fillimit të martesës me tërë përgjegjësitë e saj para se dikush të jetë i përgatitur frymërisht, emocionalisht dhe financiarisht. 24:28,29 Dikush nuk duhet të japë dëshmi të rreme në asnjë rrethanë kundër të afërmit të tij, apo të përhapë gënjeshtra për të. Edhe sikur i afërmi t’i ketë bërë ato gjëra, nuk ka justifikim për t’ia kthyer me të njëjtën monedhë për të keqen që ka bërë. 24:30-34 Shkrimtari ka kaluar pranë vreshtit të përtacit dhe ka parë se kudo rriteshin ferrat. Bimët gjembore apo ferrishtat dukeshin ngado. Muri prej gurësh ishte shkatërruar. Ka një mësim objekti në këtë. Kur dikush kërkon të flejë edhe pak, edhe pak dremitje, edhe pak të hapura të gojës, të jesh i sigurt se varfëria do ta zërë si një kusar dhe si një plaçkitës i armatosur. Kur ne jepemi pas dembelizmit në çështjet frymërore, jeta jonë (vreshti) mbushet me veprat e mishit (ferrat dhe ferrishtat). Nuk ka fryt për Perëndinë. Mbrojtja jonë frymërore (muri) ka rënë dhe djalli fiton një pikëmbështetje. Rrjedhoja e ftohtësisë sonë dhe rënies në zakone të këqija është varfëria e shpirtit.[previous][next]