4 prill | çdo ditë me radhë
«Me anë të besimit ne kuptojmë…» (Heb. 11:3).
«Me anë të besimit ne kuptojmë…». Këto fjalë mishërojnë një nga parimet më themelore të jetës frymërore. Në fillim ne e besojmë Fjalën e Perëndisë, pastaj ne kuptojmë. Bota thotë: «Të shohësh do të thotë të besosh»; Perëndia thotë: «Të besosh do të thotë të shohësh». Zoti Jezus i tha Martës: «A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh…» (Gjoni 11:40). Më vonë ai i tha Thomait: «…lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar» (Gjoni 20:29). Dhe apostulli Gjon shkroi: «Jua shkrova këto gjëra juve që besoni […] që të dini…» (1 Gjonit 5:13). Beso në fillim, pastaj do ta dish.
Billi Grehëm tregon se si ky parim u bë i gjallë në jetën e tij: «Më 1949 isha duke patur shumë dyshime rreth Biblës. Unë mendova se kisha parë kontradikta të dukshme në Shkrimin e Shenjtë. Disa gjëra nuk mund t’i pajtoja me konceptin e kufizuar që kisha për Perëndinë. Kur ngrihesha për të predikuar, mungonte ajo thirrja e autoritetshme që ishte kaq karakteristike për të gjithë predikuesit e së kaluarës. Si qindra studentë të tjerë nga seminari [shkollë teologjike], isha duke luftuar betejën intelektuale të jetës sime. Rezultati do të ndikonte me siguri shërbesën time të ardhshme.
«Në gusht të atij viti isha ftuar në Forest Home, qendrën e konferencave presbiteriane lart në malet jashtë Los Anxhelosit. Më kujtohet kur po ecja në një shteg, duke u endur midis pemëve dhe pothuaj po luftoja me Perëndinë. Isha në dyluftim me dyshimet e mia dhe shpirti më dukej i bllokuar në mes të zjarrit. Përfundimisht, i dëshpëruar, ia dorëzova vullnetin tim Perëndisë së gjallë të zbuluar në Shkrimin. U gjunjëzova para Biblës së hapur dhe thashë: “Zot, shumë gjëra në këtë libër nuk i kuptoj. Por ti ke thënë: ‘I drejti do të jetojë me anë të besimit’. Gjithçka që kam marrë nga Ty, e kam marrë me anë të besimit. Këtu dhe tani, me anë të besimit, e pranoj Biblës si Fjalën tënde. E marr atë të gjithën. E marr atë pa rezerva. Atje ku ka gjëra që nuk i kuptoj dot, do ta rezervoj gjykimin derisa të marr më tepër dritë. Nëse kjo të pëlqen Ty, më jep autoritet ndërsa e shpall Fjalën tënde dhe përmes këtij autoriteti bind njerëz për mëkat dhe kthe mëkatarë te Shpëtimtari!”»
«Brenda gjashtë javësh ne filluam fushatën ungjillëzuese të Los Anxhelosit, që tani ka bëri histori. Gjatë asaj fushate unë zbulova sekretin që e ndryshoi shërbesën time. Unë ndalova nga përpjekjet për të provuar se Bibla është e vërtetë. Këtë punë e kisha zgjidhur në mendjen time dhe ky besim u përçua te auditori».