4 qershor

[no_toc]

4 qershor | çdo ditë me radhë

«Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme» (Psa. 145:3).

Mendimi për Perëndinë është padyshim mendimi më i madh që mund të zërë mendjen njerëzore. Mendimet e mëdha për Perëndinë e fisnikërojnë tërë jetën. Mendimet e vogla për Perëndinë i shkatërrojnë ata që i mbajnë ato.

Perëndia është shumë i madh. Mbas një përshkrimi madhështor të fuqisë dhe madhështisë së Perëndisë, Jobi tha: «Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç’murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë? Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij?» (Jobi 26:14)? Ne shohim vetëm thekët dhe dëgjojmë vetëm një pëshpëritje!

Psalmisti na kujton që shikimi i Perëndisë sjell një tërmet dhe prekja e Tij shpejton shpërthimet vullkanike (Psa. 104:32).

Vetë Zotit i duhet të përulet për të parë gjëra në qiell (Psa. 113:6). Ai është aq i madh, që i thërret yjet me emër (Psa. 147:4).

Kur Isaia na tregon që cepat e mantelit të lavdisë së Perëndisë mbushin Tempullin (Isa. 6:1), ai na lë të përfytyrojmë se sa e madhe duhet të jetë shfaqja e plotë e lavdisë së Tij. Më vonë ai e përshkruan Perëndinë duke matur oqeanet me gropën e dorës së Tij dhe duke marrë përmasat e qiejve me shtrirjen e pëllëmbës së Tij (Isa. 40:12). Për Atë kombet janë një pikë ujë në një kovë ose pluhuri i një peshoreje (Isa. 40:15). Të gjitha pyjet e Libanit dhe të gjitha kafshët e tij nuk do të ishin të mjaftueshme për të përgatitur një olokaust të përshtatshëm për Të (Isa. 40:16).

Profeti Nahumi thotë: «Zoti vazhdon rrugën e tij në shakullinë dhe në furtunë dhe retë janë pluhuri i këmbëve të tij» (Nahumi 1:3).

Në mes të një përshkrimi tjetër mbresëlënës të lavdisë së Perëndisë, Habakuku thotë: «dhe aty fshihej fuqia e tij» (Hab. 3:4). Kjo do të thotë se gjuha njerëzore ndalon përpara çdo përpjekjeje për të portretizuar madhështinë e Perëndisë.

Ndërsa soditim disa nga atributet e Perëndisë gjatë ditëve në vazhdim, ato duhet të na çojnë në:

  • Habi – sepse ai është i mrekullueshëm.

  • Adhurim – për shkak të asaj që Ai është dhe për gjithçka që ka bërë për ne.

  • Besim – sepse Ai është i denjë për besimin tonë të plotë e pandarë.

  • Shërbim – pasi është një nga privilegjet më të mëdha në jetë që t’i shërbesh një Zotërie të tillë.

  • Imitim – sepse vullneti i Tij është që ne të bëhemi gjithnjë e më shumë si Ai.

    (Megjithëkëtë, ka disa atribute të Perëndisë, siç është zemërimi i Tij, që ne nuk duhet t’i imitojmë, si edhe [atribute] të tjera, siç është pafundësia e Tij, që ne nuk mund t’i imitojmë).