5 qershor

[no_toc]

5 qershor | çdo ditë me radhë

«Perëndia […] njeh çdo gjë» (1 Gjonit 3:20).

Gjithëdijenia e Perëndisë do të thotë që Ai ka njohuri të përsosur për gjithçka. Ai nuk ka mësuar kurrë dhe nuk mund të mësojë kurrë.

Një nga pjesët e mëdha mbi këtë temë është Psalmi 139:1-6, ku Davidi shkroi: «Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia. Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht. Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua. Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij».

Në Psalmi 147:4 ne mësojmë se Perëndia llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre. Mrekullia e kësaj shtohet kur Sër Xhejms Xhinsi (Sir James Jeans) na tregon se «numri total i yjeve në univers është ndoshta diçka e ngjashme me numrin total të grimcave të rërës në të gjitha bregdetet e botës».

Zoti ynë i kujtoi dishepujt e Tij se asnjë harabel nuk bie në tokë pa u vënë re nga Ati ynë. Dhe në të njëjtën pjesë Ai madje tha se edhe fijet e flokëve të kokës sonë janë të gjitha të numëruara (Mt. 10:29, 30).

Është e qartë atëherë se «të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të tij, të cilit ne do t’i japim llogari» (Heb. 4:13), duke shkaktuar në ne që të bashkohemi me Palin duke thënë: «O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!» (Rom. 11:33).

Gjithëdijenia e Perëndisë është e mbushur me domethënie praktike për gjithsecilin prej nesh. Kemi një paralajmërim. Perëndia sheh gjithçka që ne bëjmë. Ne nuk mund të mbajmë ndonjë sekret për Të.

Kemi [edhe] ngushëllim. Ai e di se çfarë jemi duke kaluar. Siç tha Jobi: «Ai e njeh rrugën që unë kam marrë» (Job. 23:10). Ai i numëron lëvizjet tona dhe i fut lotët tanë në calikun [shishen] e tij (Psa. 56:8, RSV).

Kemi [edhe] inkurajim. Ai dinte çdo gjë rreth nesh dhe, prapëseprapë, Ai na shpëtoi. Ai e di se çfarë ne ndiejmë në adhurim dhe lutje, por që nuk e shprehim dot.

Kemi [edhe] mrekulli [habi]. Edhe pse Perëndia është i gjithëdijshëm, megjithatë Ai mund të harrojë mëkatet që Ai i ka falur. Siç tha David Simandsi (David Seamands): «Unë nuk e di se si mund të falë gjithdijenia hyjnore, por ajo fal».

[previous][next]