5 shkurt

[no_toc]

5 shkurt | çdo ditë me radhë

«E di që ti mund të bësh çdo gjë, dhe që asnjë nga qëllimet e tua nuk mund të pengohet» (Job. 42:2, NASB).

Asnjë qëllim i Perëndisë nuk mund të pengohet. Njeriu mund të ketë ligësinë e tij, por Perëndia ka rrugën e Tij. Njeriu mund të thotë shumë gjëra, por Perëndia do ta ketë fjalën e fundit. Salomoni na kujton që «nuk ka dituri as këshillë kundër Zotit» (Fjalet e Urta 21:30). Dhe Jeremia shton dëshminë e tij që «planet e Zotit do të realizohen» (Jer. 51:29).

Vëllezërit e Jozefit vendosën që ta heqin qafe atë duke e shitur te një bandë madianitësh. Por gjithçka që arritën të bënin ata ishte kryerja e vullnetit të Perëndisë. Madianitët siguruan transport falas për Jozefin në Egjipt ku ai u bë kryeministër dhe shpëtimtar i popullit të tij.

Kur burri që kishte lindur i verbër mori shikimin dhe e vuri besimin te Shpëtimtari, judenjtë e përjashtuan atë nga sinagoga. A ishte kjo një fitore për ta? Jo, prapëseprapë Jezusi do ta printe atë jashtë, sepse Bariu i Mirë «i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë» (Gjoni 10:3). Kështu që ata thjesht i kursyen Jezusit përpjekjen për ta bërë këtë veprim.

Ligësia e njerëzve e arriti everestin e saj kur ata e morën Zotin Jezus dhe, duke e gozhduar në një kryq, e vranë. Por Pjetri i kujtoi ata që Ai iu dorëzua atyre sipas «këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë» (Veprat e Apostujve 2:23). Perëndia e mbisundoi krimin gjigant të njeriut duke e ringjallur Krishtin për të qenë Zot dhe Shpëtimtar.

Donald Grej Barnhauzi (Donald Gray Barnhouse) tregoi historinë e një pronari të pasur toke, që kishte pemë të bukura në pronën e tij. «Por ai kishte një armik të hidhur që tha: “Unë do t’ia pres një nga pemët që ka; kjo do ta lëndojë”. Në errësirën e natës armiku kaloi vjedhurazi gardhin dhe shkoi te pema më e bukur nga të gjitha, dhe me sharrë dhe sëpatë iu fut punës. Në dritën e parë të mëngjesit ai pa nga larg në kodër dy burra që po vinin mbi kuaj dhe dalloi që njëri prej tyre ishte pronari i tokës. Ai i shtyu nxitimthi pykat dhe e la pemën të bjerë; por një nga degët e kapi dhe e nguli në dhe, duke e vrarë aq shumë që ai vdiq. Para se të vdiste, ai thirri me zë të çjerrë: “E shikon, ta preva pemën më të bukur”, dhe pronari i tokës e pa me keqardhje dhe tha: “Ky që kam sjellë me vete është arkitekti. Ne kishim planifikuar për të ndërtuar një shtëpi dhe ishte e nevojshme që të pritej një pemë për t’i bërë vend shtëpisë; dhe është pikërisht ajo pemë për të cilën ju keni punuar tërë natën”».