8 nëntor

[no_toc]

8 nëntor

«Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur» (1 e Korintasve 7:20).

Kur dikush bëhet i krishterë mund të mendojë se duhet të ketë një shkëputje të plotë me çdo gjë që ka lidhje me jetën e mëparshme. Për të korrigjuar këtë mendim, apostulli Pal paraqet rregullin e përgjithshëm se personi duhet të mbetet në të njëjtën thirrje ku ishte në kohën e kthimit në besim. Le ta konsiderojmë këtë rregull dhe të sugjerojmë se çfarë do të thotë dhe çfarë nuk do të thotë.

Në kontekstin e drejtpërdrejtë, ky varg i zbatohet një marrëdhënie martesore të veçantë. Është rasti kur njëri nga partnerët shpëtohet, por tjetri jo. Çfarë duhet të bëjë besimtari? A duhet ta lërë gruan? Jo, thotë Pali, ai duhet të mbetet në atë marrëdhënie martesore me shpresën se partneri i tij do të kthehet në besim përmes dëshmisë së tij.

Në përgjithësi, rregulli i Palit do të thotë që kthimi në besim nuk kërkon përçarjen e dhunshme apo përmbysjen me forcë të marrëdhënieve dhe lidhjeve para shpëtimit që nuk ndalohen qartazi nga Shkrimi. Për shembull, një jude nuk ka pse t’i drejtohet kirurgjisë për të zhdukur shenjat fizike të të qenit jude. As një besimtar johebre nuk ka pse t’i nënshtrohet ndonjë ndryshimi fizik si rrethprerja për ta dalluar nga pagani. Karakteristikat ose shenjat fizike nuk janë ato që kanë vërtet rëndësi. Ajo çfarë Perëndia kërkon është të shohë bindje ndaj urdhërimeve të Tij.

Një burrë që është një skllav në kohën e lindjes së re nuk duhet të rebelohet kundër skllavërisë dhe kështu t’i sjellë vetes probleme dhe ndëshkim. Ai mund të jetë një skllav i mirë dhe një i krishterë i mirë në të njëjtën kohë. Pozita sociale dhe dallimet klasore nuk përbëjnë ndonjë rëndësi për Perëndinë. Megjithëkëtë, nëse një skllav mund ta fitojë lirinë me mënyra të ligjshme, ai duhet ta bëjë këtë.

Kaq për atë që do të thotë rregulli i Palit. Duhet të jetë e qartë se ka përjashtime të rëndësishme ndaj këtij rregulli. Për shembull, nuk do të thotë se një burrë që ka një punë të paperëndishme duhet të vazhdojë në atë punë. Nëse një burrë është një banakier ose punon në një shtëpi prostitucioni ose në një kazino kumari, ai do ta dijë nga instinkti frymëror se duhet të bëjë një ndryshim.

Një përjashtim tjetër ndaj rregullit të përgjithshëm ka të bëjë me lidhjet fetare. Një besimtar i ri nuk duhet të vazhdojë në asnjë sistem ku mohohen themelet e mëdha të besimit të krishterë. Ai duhet ta shkëputë veten nga çdo kishë që e çnderon Shpëtimtarin. Kjo zbatohet edhe për anëtarësimin në klube sociale ku Emri i Krishtit ndalohet ose madje është i paftuar. Besnikëria ndaj Birit të Perëndisë kërkon që besimtari të largohet nga të tilla gjëra.

Për ta përmbledhur, atëherë, rregulli është se një besimtar i ri duhet të mbetet në atë thirrje ku ishte në kohën e thirrjes, veçse nëse ajo thirrje është e mëkatshme dhe çnderuese për Zotin. Ai nuk ka pse të shkëputet nga lidhjet e kaluara, veçse kur ato ndalohen qartë nga Fjala e Perëndisë.

[previous][next]