8 tetor

[no_toc]

8 tetor

«Mos flisni keq për njëri tjetrin, vëllezër» (Jakobit 4:11).

Edhe pse fjala «thashetheme» nuk gjendet në Versionin e Mbretit Xhejms të Biblës, sigurisht që mendimi vetë përfshihet në fjalë të tilla si shpifje, të folurit keq dhe pëshpëritje. Dhe është e kuptueshme që ky zakon është njësoj i dënueshëm.

Thashetheme do të thotë të zbulosh informata rreth dikujt tjetër, informata që kanë si qëllim njollosjen e tij. Me fjalë të tjera, informatat janë të pandershme dhe të pasjellshme. Zakonisht përfshihet edhe elementi i fshehtësisë ose i prapaskenës; personi që thotë thashetheme nuk do të donte të përmendej.

Dy gra në Bruklin po flisnin. Njëra tha: «Tili më tha që ti i kishte treguar asaj atë që unë të tregova ty dhe që të kisha thënë të mos ia tregoje». Tjetra iu përgjigj: «Ajo është shumë e poshtër. I thashë Tilit që mos të të thoshte ty që i tregova». Folësja e parë iu përgjigj: «Po mirë, i thashë Tilit se nuk do të të tregoja ty çfarë ajo më tha – kështu që mos i thuaj që të tregova».

Në këtë botë janë të rrallë ata shpirtra që nuk thonë kurrë diçka negative për dikë tjetër. Kam njohur njerëz të tillë dhe i çmoj përtej aftësive shprehëse. Njëri më tha se nëse nuk mund të thoshte diçka të mirë rreth dikujt tjetër, ai nuk do të thoshte asgjë. Një tjetër më tha se ai përpiqej gjithmonë të shihte te besimtarët e tjerë diçka që e kujtonte atë për Zotin Jezus. Një i tretë filloi të thotë diçka negative për një palë të tretë, por pastaj e ndërpreu veten në mes të fjalisë dhe tha: «Jo, nuk do të ishte ndërtuese».

Pali kishte dëgjuar se kishte grindje midis besimtarëve në Korint. Duke i ballafaquar me këtë fakt, ai tha se i ishte treguar nga ata të shtëpisë së Kloes (1 e Korintasve 1:11). Është e qartë se familja e Kloes nuk po mbante nëpër gojë të tjerët. Ata ishin duke e ndarë këtë informatë në mënyrë që problemi të mund të zgjidhej.

Gjithashtu apostulli shkroi disa fjalë të forta kundër Imeneut, Aleksandrit dhe Filetit (1 Tim. 1:20; 2 Tim. 2:17), sepse ata po i bënin keq kauzës së Krishtit. Ai gjithashtu e paralajmëroi Timoteun për Figelin, Hermogenin dhe Demën (2 Tim. 1:15; 4:10), njerëz të cilët ndërruan rrugë pasi kishin vënë dorë në parmendë. Por këto nuk ishin thashetheme. Këto ishin komunikata të rëndësishme për besimtarët që janë të përfshirë në një betejë të përbashkët.

Kur dikush erdhi te një predikues i njohur duke përgojuar disi, predikuesi nxori një bllok me fletë të zeza dhe i tha thashethemexhiut se do ta mbante shënim, se do të firmosej nga llafazani dhe më pas informacioni do t’i bëhej i njohur personave të përfshirë. Thuhet se ai e hapi bllokun njëqind herë por nuk shkroi kurrë as edhe një shënim të vetëm.

[previous][next]