«Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh» (Mt. 12:30).
Zoti Jezus i tha këto fjalë për farisenjtë. Ata sapo kishin kryer mëkatin e pafalshëm, duke ia atribuar mrekullitë e Tij Beelzebubit, princit të demonëve, kur në fakt ato ishin bërë në fuqinë e Frymës së Shenjtë. Ishte e qartë tani se ata nuk do ta pranonin Atë si Mesian e Izraelit dhe Shpëtimtarin e botës. Duke qenë se ata nuk morën një qëndrim të vendosur për Krishtin, ata ishin detyrimisht kundër Tij. Duke qenë se ata nuk shërbyen përkrah Tij, ata punuan kundër Tij.
Kur bëhet fjalë për Personin dhe veprën e Krishtit, nuk mund të ketë neutralitet. Nuk ka asnjë mënyrë për të qëndruar në mes të këtij gardhi. Dikush është ose pro Krishtit ose ai është kundër Tij. Cilido që thotë se nuk mund të vendos, tashmë ka vendosur.
Kur bëhet fjalë për të vërtetën në lidhje me Krishtin, nuk mund të ketë kompromis. Në krishterimin biblik ka disa fusha ku mund të ketë ndryshime të arsyeshme në mendime, por kjo fushë nuk është një nga ato. Siç na kujton A. W. Tozeri: «Disa gjëra janë të padiskutueshme». Ne duhet të përkrahim vendosmërisht hyjninë absolute të Zotit Jezus, lindjen e Tij virgjërore, njerëzimin e Tij të vërtetë, natyrën e Tij të pamëkatë, vdekjen e Tij zëvendësuese për mëkatarët, ringjalljen e Tij trupore, ngjitjen e Tij në të djathtën e Perëndisë dhe ardhjen e Tij përsëri. Kur njerëzit fillojnë t’u bëjnë gardh këtyre doktrinave thelbësore, ata ngelen me një gjysmë-Shpëtimtar, i cili nuk është aspak Shpëtimtar.
Poeti e shprehu në vargje kur shkroi:
«Çfarë mendoni për Krishtin?» është prova
për të parë gjendjen dhe planin tuaj;
ju s’mund të jeni në rregull për të tjerat
nëse nuk mendoni drejt për Të:
Si e shikojnë Jezusin sytë e tu,
nëse Ai është i dashur apo jo,
këtë qëndrim mban Perëndia me ty,
dhe mëshira a zemërimi është pjesa jote.