«Unë jetoj në mes të popullit tim» (2 i Mbreterve 4:13).
Një grua e spikatur në Shunem i tregoi mikpritje Eliseut sa herë që ai kalonte në atë rrugë. Përfundimisht, ajo i sugjeroi burrit të saj të ndërtonin një dhomë gjumi shtesë që profeti të kishte dhomën e tij. Duke dashur që ta shpërblente këtë mikpritëse shpirtmirë, Eliseu i kërkoi se ç’mund të bënte për të – ndoshta një paraqitje para mbretit apo kryekomandantit. Përgjigjja e saj e thjeshtë ishte «Unë jetoj në mes të popullit tim». Me fjalë të tjera, «unë jam e lumtur me pjesën që më ka rënë në jetë. I dua njerëzit e thjeshtë në mes të të cilëve jetoj. Nuk pëlqej veçanërisht që të ec në mes të shtresës së sipërme. Shoqërimi me njerëzit e famshëm nuk më tërheq fare».
Ajo ishte një grua e urtë! Atyre që nuk janë kurrë të kënaqur, veçse po të shoqërohen me të famshmit, të pasurit, aristokratët shpesh u duhet të mësojnë se pjesa më e madhe e njerëzve të zgjedhur nuk e arrijnë kurrë faqen e parë – apo faqen e shoqërisë, për këtë shkak.
Kam patur disa kontakte me emra të mëdhenj në botën ungjillore, por më duhet të rrëfej se, për pjesën më të madhe, përvoja ka qenë zhgënjyese. Dhe sa më shumë kam parë nga ajo që bën bujë në shtypin e krishterë, aq më shumë i zhgënjyer kam dalë. Nëse duhet të bëj një zgjedhje, më jepni ata qytetarë të përulur, të perëndishëm, të qëndrueshëm të cilët janë të panjohur në këtë botë, por të mirënjohur në qiell.
A. W. Tozeri i pasqyroi mirë ndjenjat kur shkroi: «Unë besoj në shenjtorët. I kam takuar komikët; i kam takuar promotorët; e kam takuar themeluesin që e vendos emrin e tij përpara godinës, që njerëzit ta dinë se kush e themeloi. Kam takuar kauboj të konvertuar jo aq mirë të konvertuar. Kam takuar lloj-lloj të krishterësh të çuditshëm kudo në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, por zemra ime është duke kërkuar shenjtorë. Dua të takoj ata njerëz që janë si Zoti Jezus Krisht…. Në fakt, ajo që duam dhe duhet të kemi është bukuria e Zotit, Perëndisë tonë, në kraharorë njerëzorë. Një shenjtor simpatik dhe tërheqës vlen sa 500 promotorë dhe shpikës dhe inxhinierë fetarë».
Çarls Simoni shprehu ndjenja të ngjashme. «Që nga dita e parë që u dërgova deri në këtë orë […] komunikimi im ka qenë me të shkëlqyerit e tokës dhe me secilin prej tyre që përpiqet me fuqinë e tij maksimale për të më shfaqur mirësi për hirin e Zotit».
Prandaj—trëndafila për gruan nga Shunemi për mprehtësinë frymërore në fjalët e saj: «Unë jetoj në mes të popullit tim».