«Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?» (Zanafilla 18:25).
Kur kemi të bëjmë me mistere në jetë që janë tepër të thella për t’i kuptuar, ne mund lehtësohemi nga siguria se Gjykatësi i tërë tokës është Perëndia i drejtësisë absolute dhe të pafund.
Kemi çështjen e statusit të fëmijëve që vdesin përpara se të arrijnë moshën e përgjegjësisë. Për shumë prej nesh mjafton të dimë që «për ata është mbretëria e Perëndisë». Ne besojmë që ata janë të sigurt përmes gjakut të Jezusit. Por për të tjerë që nuk janë akoma të kënaqur, fjalët e vargut tonë duhet të mjaftojnë. Mund t’i besojmë Perëndisë që do të bëjë atë që është e drejtë.
Kemi problemin e vazhdueshëm të zgjedhjes dhe paracaktimit. A i zgjedh Perëndia disa për shpëtim pa i zgjedhur në të njëjtën kohë disa për mallkim? Pasi kalvinistët dhe arminianët i kanë thënë mendimet e tyre, ne mund të kemi siguri të plotë që nuk ka aspak padrejtësi me Perëndinë.
Përsëri kemi padrejtësinë në dukje që shpesh i ligu begatohet, kurse i drejti kalon përmes mundimeve të mëdha. Kemi çështjen e përsëritur për sa i përket fatit të paganëve që nuk e kanë dëgjuar kurrë Ungjillin. Njerëzit vrasin mendjen se përse e lejoi Perëndia mëkatin që të hynte. Ne shpesh ngelemi të shtangur përballë tragjedive, varfërisë dhe urisë, dëmtimeve të tmerrshme fizike dhe mendore. Dyshimi murmurit vazhdimisht: «Nëse Perëndia është në kontroll, përse i lejon të gjitha këto?»
Besimi përgjigjet: «Prit derisa të shkruhet kapitulli i fundit. Perëndia nuk e ka bërë gabimin e parë. Kur jemi në gjendje që t’i shohim gjërat nga një perspektivë më e qartë, ne do të kuptojmë që Gjykatësi i tërë tokë ka vepruar drejt».
Zoti shkruan me shkronja tepër të mëdha
John Oxenham
për t’u kuptuar nga shikimi ynë i shkurtër;
ne rrokim veç goditje të thyera dhe përpiqemi
për të kuptuar gjithë misterin
e shpresave të thara, të vdekjes, të jetës,
luftën e pafund, grindjen e kotë,—
por atje, me shikim më të pastër e të gjerë,
do të shohim këtë—rruga e Tij ishte e drejtë.