«Të gjitha gjërat janë tuajat» (1 e Korintasve 3:21-23).
Shenjtorët jo të shenjtë në Korint kishin qenë në grindje për drejtuesit njerëzorë në kishë. Për disa ideali ishte Pali. Të tjerë parapëlqyen Apolin. Dhe të tjerë akoma menduan se më i mirë ishte Kefa. Pali po u thotë atyre se është qesharake ta kufizojnë zgjedhjen e tyre vetëm te njëri, kur të gjithë këta burra u përkasin atyre. Në vend që të thonë, «Apoli është i imi», ata duhet të thonë, «Pali, Apoli dhe Kefa janë të gjithë të mitë».
Kjo është një fjalë për ne sot. Ne gabojmë kur bëhemi ndjekës ekskluzivë të Luterit, Ueslit, Buthit, Darbit, Billi Grahëmit ose çfarëdo dhurate të madhe të Kishës. Të gjithë këta burra janë tanët dhe ne mund të gëzohemi në masën e dritës që na jep secili prej tyre. Ne nuk duhet të bëhemi ndjekësit e vetëm një njeriu.
Por tanët janë jo vetëm shërbëtorët e Zotit. E jona është edhe bota. Ne jemi trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin. Një ditë ne do të kthehemi dhe do të mbretërojmë mbi botën me Zotin Jezus. Ndërkohë njerëzit jo të konvertuar po i drejtojnë gjërat sikur bota t’u përkas atyre. Por nuk është kështu. Ata janë thjesht kujdestarë, duke e administruar atë për ne deri në ditën kur ta marrim ne zotërimin.
Jeta është e jona. Kjo nuk do të thotë thjesht që ne kemi jetë; këtë e kanë të gjithë njerëzit. Kjo do të thotë që ne kemi jetën më me bollëk, jetë të përjetshme, vetë jetën e Krishtit. Jeta tonë nuk është kotësi dhe shqetësim i frymës. Ajo është kuptimplote, e qëllimshme dhe shpërblyese.
Dhe vdekja është e jona. Ne nuk i nënshtrohemi më skllavërisë në jetën tonë përmes frikës së vdekjes. Tani vdekja është lajmëtari i Perëndisë që i çon shpirtrat në qiell. Prandaj të vdesësh është fitim. Përveç të gjitha këtyre, ne i përkasim Krishtit dhe Krishti i përket Perëndisë. Kur mendoj për këtë më kujtohet vërejtja e çuditshme e Gaj Kingut: «Sa varfanjakë fatlum që jemi!»