Reformacioni dhe Ungjilli i Hirit

krishterimi.al Kisha Leave a Comment

Në 31 tetor 1517, një murg katolik i quajtur Martin Luteri nguli publikisht kundërshtimet e tij ndaj mësimeve të kishës së tij. Në thelb, Luteri kishte rizbuluar hirin falas të Perëndisë të errësuar gjatë shekujve nga mospëlqimi i natyrshëm i njeriut ndaj hirit. Ai e përtëriu theksimin mbi hirin e ungjillit, të mishëruar nga Jezusi dhe të mbrojtur nga apostulli Pal. Ky theksim i ripëtërirë solli Protestantizimin dhe bota nuk ka qenë kurrë e njëjtë. Tani, 500 vjet më vonë, si është duke e trajtuar Kisha Protestante ungjillin e hirit?

Solat e Reformacionit

Zbulimi i hirit prej Luterit nuk ndodhi i izoluar nga theksimet e tjera të Reformacionit. Ai dhe të tjerë reformatorë përkrahën tre të vërteta të gërshetuara të njohura zakonisht si Sola Scriptura, Sola Gratia dhe Sola Fide (dy të tjera, Sola Christus – vetëm Krishti dhe Soli Deo Gloria – vetëm për lavdinë e Perëndisë, ishin pohuar më vonë). Sola Scriptura (vetëm Shkrimi) përshkruan angazhimin e reformatorëve ndaj Shkrimit si autoriteti final për mësimin dhe praktikën. Kjo e kundërshtonte angazhimin e katolicizmit ndaj autoritetit të traditave kishtare dhe deklaratave papnore. Rizbulimi i hirit falas të Perëndisë prej reformatorëve ishte i pashmangshëm, duke qenë se ishin të lirë nga litarët e traditës dhe duke e lejuar Biblën që të interpretonte veten. Po kështu, Sola Fide (nëpërmjet besimit vetëm) ishte një rrjedhim i të kuptuarit që Bibla mësonte se hiri nuk mund të meritohej nga veprat ose arritjet njerëzore. Shpëtimi prej hirit është dhuratë e Perëndisë; përgjigjja e vetme e njeriut është ta pranojë atë, pra, t’i besojë Perëndisë për të. Prandaj ne shfajësohemi përpara Perëndisë vetëm me anë të besimit. Sipas doktrinës katolike, hiri i futur në pagëzim çon në vepra të mira dhe praktika sakramentale që meritojnë më shumë hir derisa të jetë arritur shpëtimi final. Sola Gratia (me anë të hirit vetëm) i ktheu kishës të vërtetën që hiri ishe absolutisht falas dhe i pakushtëzuar. Prandaj veprat nuk luajnë asnjë rol për të merituar shpëtimin: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga veprat, që të mos mburret askush” (Efesianëve 2:8-9). Prandaj një njeri mund të deklarohet i drejtë në çastin e besimit në Krishtin, e jo që të jetë thjesht fillimi i një procesi për t’u bërë të drejtë. Drejtësia e Perëndisë llogaritet menjëherë, jo që të futet gjatë një jete të tërë.

Divergjenca Protestante

Një lexim i thjeshtë i Shkrimeve tregon që të krishterët mund të luftojnë në mënyrë të vazhdueshme me mëkatin. Sado që reformatorët e parë u përpoqen për të shpjeguar dhe pastruar teologjinë e tyre, nuk pati kurrë një pajtim të plotë për disa çështje. Disa ndryshime kryesore kishin të bënin me vullnetin e lirë të njeriut, me rolin e veprave mbas shpëtimit dhe me sigurinë e shpëtimit. Protestantët mbas Reformacionit filluan të formojnë pikëpamje teologjike të cilat u zhvendosën nga reformatorët dhe nga të kuptuarit e tyre të hirit dhe të besimit. Disa mësuan që hiri kërkonte veprim të njëanshëm prej Perëndisë dhe nuk varej aspak nga njeriu (monergjizmi) deri në pikën që hiri i Perëndisë siguroi Jezus Krishtin si një pajtim vetëm për mëkatet e të zgjedhurve dhe që ky hir iu detyrua në mënyrë të pashmangshme këtyre të zgjedhurve për t’i rilindur ata që ata të besonin. Besimi nuk mund të fillonte nga njeriu vetëm, pasi kjo do të ishte një vepër dhe do t’i merrte lavdi Perëndisë. Kjo pikëpamje u zhvillua në atë që njihet si Kalvinizëm Kulmor, Kalvinizëm Pesë-Pikësh ose Kalvinizëm TULIP. Siguria e shpëtimit varet mbi prova të veprave të krijuara prej hirit në besimtarin, i cili duhet të këmbëngulë deri në çastet e fundit të jetës për të provuar që shpëtimi është i vërtetë. Si rrjedhim siguria e plotë është e pamundur në këtë jetë. Në kontrast me pikëpamjen monergjiste të shpëtimit, të tjerë ishin të mendimit që Perëndia na shpëton në një sinergjizëm: një harmoni e vullnetit të Perëndisë dhe e vullnetit të njeriut që veprojnë bashkë. Kur njeriu ra në mëkat, ai nuk e humbi shëmbëlltyrën e Perëndisë, sado e shëmtuar që u bë ajo. Njeriu e ruan vullnetin e tij të lirë të dhënë hyjnisht, sado që është i keqorientuar prej mëkatit, prandaj Perëndia duhet ta tërheqë atë njeri përmes mënyrave të ndryshme në një pikë ku ai mund të besojë ose të refuzojë ungjillin. Besimi nuk shihet si një vepër e meritueshme, por një pranim i përulur i ofertës së shpëtimit që Perëndia ofron prej hirit të Tij. Kjo pikëpamje u zhvillua në atë që ndonjëherë njihet si Gjysmë-Pelagianizmi ose nga pozita më ekstreme Arminiane. Arminianët identifikohen përfundimisht si ata që besojnë se vullenti i lirë i besimtarit mund ta lejojë atë të mëkatojë aq ashpër ose ta refuzojë shpëtimin pasi është pranuar, aq që ai/ajo e humbet shpëtimin. Arminianët pohojnë se kanë siguri të plotë të shpëtimit nëse janë duke jetuar besnikërisht, por nuk mund të pohojnë siguri për shpëtimin e tyre të ardhshëm, pasi ekziston mundësia që ata mund të rrëzohen ose të mëkatojnë aq ashpër që ta humbasin shpëtimin.

Ku e lë kjo ungjillin e hirit sot?

Siç edhe u zbulua gjatë Reformacionit, mësimi biblik i hirit absolutisht falas dhe të pakushtëzuar të Perëndisë është guri i themelit për çdo teologji të vërtetë të shpëtimit. Bibla thotë që hiri nuk mund të përzihet aspak me veprat, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir (Romakëve 11:6). Gjithashtu Bibla e dallon qartë besimin nga veprat (Romakëve 4:4-5). Kalvinistët TULIP kanë çorientuar shumë njerëz drejt një shtegu që i bën kompromis hirit falas të Perëndisë, duke kërkuar një besim të bindur dhe vepra të dallueshme si një provë e hirit shpëtues. Këto vepra duhet të demonstrohen gjatë një jete të tërë dhe deri në fund të jetës. Ndërkohë që ata deklarojnë se shpëtimi është me anë të hirit vetëm, nëpërmjet besimit vetëm, ata gjithashtu ngulin këmbë që besimi nuk është kurrë vetëm – që ai përfshin gjithnjë vepra të dallueshme, duke i bërë veprat të domosdoshme për shpëtimin. Ata që e kuptojnë veprën ripërtëritëse të Perëndisë dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë që banon brenda besimtarit, pranojnë që besimi i vërtetë do të rezultojë në vepra. Por këto vepra nuk mund të jenë provë e sigurisë së shpëtimit, pasi ato nuk mund të maten, janë relative dhe nuk mund të vëzhgohen në çdo rast. Prova objektive dhe siguria e shpëtimit vjen nga premtimi i i jetës së përjetshme prej Perëndisë nëpërmjet Krishtit dhe nga fakti që një njeri beson në Krishtin sipas këtij premtimi. Po kështu, Arminianët kanë çorientuar shumë njerëz larg prej hirit falas të Perëndisë, duke ngulur këmbë që veprat e mira janë të domosdoshme për të ruajtur shpëtimin dhe që mëkati dhe mosbesimi mund të humbasin shpëtimin. Dhe kështu ata e nxjerrin hirin të kushtëzuar mbi besnikërinë e dikujt. Siguria e shpëtimit është e disponueshme vetëm për ata që janë duke jetuar besnikërisht në këtë kohë, por nuk ka asnjë siguri për shpëtimin final. Ne jemi të shpëtuar nëpërmjet besimit, por qëndrojmë të shpëtuar me anë të arritjes sonë besnike. Përsëri, pra, veprat e anulojnë hirin falas të Perëndisë dhe shpëtimi është i sigurt vetëm nëse dikush vdes me besim dhe besnik.

Konkluzioni

Ndonëse Reformacioni Protesant rizbuloi të vërtetën biblike të hirit falas të Perëndisë dhe të shpëtimit nëpërmjet besimit vetëm në Krishtin vetëm, ciklet e historisë dhe e mospëlqimit të hirit prej njeriut e kanë errësuar edhe një herë të vërtetën e ungjillit të hirit, aq sa sot ai shtrembërohet ose çoroditet shpesh. Në grupe të mëdha të Protestantizmit, kemi sisteme teologjike të krijuara nga njerëzit të cilat ia zënë vendin autoritetit të Shkrimit vetëm. Shpesh kemi kredot dhe teologët të cilët citohen pëpara Shkrimit. Teologjia e tyre mëson se besimi nuk është besim po qe se nuk përfshin vepra, gjë që ka çuar në shfaqjen e shumë librave dhe artikujve që ngulin këmbë se shpëtimi kërkon vepra. Dhe kështu, hiri nuk është më i pakushtëzuar, por i kushtëzuar mbi performancën e njeriut. Pavarësisht nga rigjallërimi i ungjillit të hirit prej Reformacionit, një pjesë e madhe e Protestantizmit sot është duke u kthyer te Roma (te Katolicizmi) me një ungjill që i bën veprat të domosdoshme dhe shfajësimin një proces. Harku i historisë dhe i teologjisë tregon se është koha të ripohojmë kredon e Reformacionit për Sola Scriptura, Sola Gratia dhe Sola Fide.